Përkujtojmë 136-vjetorin e lindjes së Imzot Luigj Bumçit, ipeshkvit të madh, që punoi
për unitetin e Kishës e të Kombit.
(06.11.2008 RV)Lindi më 6 nëntor 1872
në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në shkollën e jezuitëve, ku shpejt ndjeu thirrjen
për rrugën e meshtarisë. Hyri, prandaj, në Seminarin Papnuer, ku mësoi në Kolegjën
Saveriane dhe njëkohësisht filloi përgatitjen filozofike e teologjike për rrugën e
priftit dioqezan, që kishte zgjedhur. Shpejt u shqua për një mençuri të jashtëzakonshme,
që e vuri në krye të shumë veprimtarive të Seminarit e të Kolegjës Saveriane. U bë
shumë i njohur edhe për humorin e tij tejet të hollë, që e bëri të shkëlqejë në vise
e rrethana të ndryshme. Në garën e satirës - shkruan Imzot Zef Simoni në librin e
tij "Portrete klerikësh katolikë" - mund të hahej vetëm me një Atë Fishtë. E ishte
kënaqësi e jashtzakonshme të ndiqje një garë të tillë ndërmjet dy njerëzve, që veç
shumë cilësive të mëdha, kishin edhe humor të spikatur”. Mësimet e larta i kreu
në Itali, ku edhe u shugurua meshtar. Mbas shugurimit, shërbeu për pak kohë si famullitar
në fshatra të ndryshme të Veriut. Ndërkaq filloi edhe veprimtarinë atdhetare. Qe atë
shpirtëror i kryengritësve të Malësisë së Madhe, që rrokën armët për çlirimin e Shqipërisë
nga zgjedha turke; kryesoi delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes
në Paris, ku mbajti një fjalim, që pati jehonë të jashtzakonshme e që meriton të zërë
vend në të gjitha antologjitë e letërsisë shqiptare, si një nga prozat oratorike,
me karakter të fuqishëm atdhetar. Në Konferencë delegacioni shqiptar u ndodh
para një problemi jetik për tërësinë e tokave shqiptare: Korça e Gjirokastra rrezikoheshin
të shkëputeshin nga Shqipëria, sipas marrëveshjes së fshehtë ndërmjet Titonit e Venizelosit,
nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Rusisë.
Delegacioni shqiptar nuk u mjaftua ta mbronte çështjen shqiptare në Konferencë, por
duke përfituar nga fakti se në të bënin pjesë dy klerikë, të cilët tashmë kishin fituar
emër kudo në botën katolike, e pikërisht Imzot Bumçi e sekretari i tij, Atë Gjegj
Fishta, u ndal në Romë, ku kërkoi audiencë te Papa. Benedikti XV i priti menjëherë
dhe u premtoi se do të ndërmjetësonte pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e Shqipërisë.
“Diplomat i spikatun, me natyrën e qetë të shtresave qytetare shkodrane, me stil
plot gjallni jete, me prirje të theksueme për jetën politike, i guximshëm e i stërvitun,
i peshuem e modern, ai punoi me zell për një Shqipni të çlirueme nga feudalizmi e
mbrapambetja. Na kujton së largu figurën e kardinalit francez Richelieu” - kështu
shkruan për të Imzot Zef Simoni, në sa ia pikturon portretin në librin e tij "Portrete
klerikësh katolikë" Si u shugurua ipeshkëv, u emëruar prelat i Lezhës. Selinë
e tij, sipas traditës, e pati në Kallmet, ku ndërtoi edhe Kishën që sot i është rikthyer
besimtarëve. Kongresi i Lushnjes e vuri në krye të Këshillit të Lartë të
Shqipërisë. Nga kjo tribunë, u bë i njohur nga të gjithë si njeri me mënçuri të
jashtëzakonshme; që njihte në mënyrë të përkryer gjuhët kryesore evropiane. Me kulturën
e tij të gjërë, e linte me gojë hapur çdo njeri që komunikonte me të. Nuk
la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa
i penës. E në se dikush pyet: ç'vepër të madhe i la Shqipërisë - mund të përgjigjeshim
pa menduar dy herë: I la Korçën e Gjirokastrën!Vdiq në vitin ogurzi 1945 në selinë
e ipeshkvisë së tij, ndërsa mbi Shqipërinë ndehej terri e terrori.