Personaliteti i vërtetë i Papës Piut XII në ekspozitën e Komitetit të Shkencave Historike.
(06.11.2008 RV)“Një ekspozitë, e cila
ka për qëllim jo vetëm të vërë në dukje figurën zyrtare të Piut XII, që tashmë u është
besuar arkivave të historisë, por edhe diçka më të veçantë e më të thellë: të ndriçojë
karakterin e tij e thellësinë e ndjenjave të tij”. Me këto fjalë kardinali Tarçizio
Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, përuroi këto ditë në Krahun e Karlit të
Madh, në Vatikan, ekspozitën me fotografi e dokumente kushtuar Papës Paçeli. Ekspozita,
organizuar në kuadrin e veprimtarive që zhillohen sivjet për të kujtuar 50-vjetorin
e vdekjes së Piut XII, krijon mundësitë të njihet më mirë periudha e vështirë e Luftës
II Botërore. “Kujtimi i këtij Bariu të madh na rikthen në kushtet shoqërore,
politike e fetare të atyre viteve, që sigurisht kanë ndryshuar, në krahasim me epokën
moderne, ndonëse jo pak tematika rishfaqen me mprehtësi aktuale”.
Të
kujtosh Piun XII, nënvizoi Kardinali Bertone, do të thotë të kujtosh edhe dy luftërat
botërore. E në se, siç u shpreh Benedikti XVI më 9 tetorin e kaluar, ditë e 50-vjetorit
të vdekjes së Papës Paçeli – debati historik mbi figurën e tij, jo gjithnjë paqësor,
nuk i ka vënë në dukje të gjitha aspektet e papnisë së tij të shumanëshme, ekspozita
bën përpjekje për ta parë me një sy tjetër historinë, duke pasur mirë parasysh edhe
fushatën shpifëse të vitit 1962-63 kundër kujtimit të Papës. E sidomos, duke dashur
të bëjë të njohur të vërtetën historike.