2008-11-06 15:03:36

Pas fitores, Obama fillon me formimin e skuadrës së re të qeverisjes


(06.11.2008 RV)“Një zgjedhje për të cilën amerikanët duhet të jenë krenarë”. Kështu Gjorgj Bush ka përgëzuar Barak Obamën për fitoren garës për president në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkaq vlojnë veprimtaritë politike për të formuar skuadrën e re të qeverisë dhe tashmë arrijnë emërimet e para.
Përmes ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë Selisë Shenjte, Barak Obamës i kanë arritur urimet e Papës. Në një mesazh Benedikti XVI, duke e përkufizuar këtë zgjedhje “një ngjarje historike”, i siguron lutjet e tij Zotit, që ta ndihmoj në përgjegjësitë e larta të vendit amerikan dhe në bashkësitë ndërkombëtare. Papa, gjithashtu, kërkon “bekimin e Zotit për presidentin e zgjedhur dhe për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bashkë me të gjithë njerëzit vullnetmirë të mund të ndërtohet një botë e paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.


E zgjedhja e Barak Obamës për president të ri të Amerikës, ka zgjuar reagime të favorshme në pjesën më të madhe të botës. Siç kemi dëgjuar, e tërë Afrika, në veçanti Kenia, ku ka lindur babai i Obamës, e ka pranuar me gëzim të madh zgjedhjen e senatorit afro-amerikan si president e tani e shkon të ardhmen më me shumë shpresë.

Në disa Shtete Amerikane, përveç se për Shtëpinë e Bardhë, është votuar edhe për tema të tjera. Edhe Kalifornia pas Floridës dhe Arkansasit, me një referendum, ka ndaluar martesën në mes homoseksualëve. Me 52,1% të votave, referendumi ka anuluar vendimin e Gjykatës së Lartë të Shtetit që e kishte autorizuar. Rrezikojnë të jenë të pavlefshme 18 mijë çiftët të bashkuar në mes personave të të njëjtit seks.







All the contents on this site are copyrighted ©.