2008-11-06 16:55:10

Benedikti XVI në forumin katoliko-mysliman:“Të krishterët dhe myslimanët të ndërtojnë një të ardhme paqeje duke respektuar të drejtat e njeriut.”


06.11.2008 RV)RealAudioMP3 Emri i Zotit është një emër paqeje dhe dashurie dhe dhuna nuk mund të justifikohet kurrë nën këtë emër. Këtë pohoi me forcë Benedikti XVI në fjalën që mbajti sot paradite në Vatikan përpara pjesëmarrësve të Seminarit të parë të Forumit Katoliko-mysliman. Ky organizëm është krijuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar si dhe nga përfaqësues myslimanë, në vazhdën e letrës drejtuar Papës dhe krerëve të disa Kishave të tjera përposë asaj së Romës, nga 138 personalitete myslimane në tetor të vitit 2007. Ati i Shenjtë i ftoi të krishterët dhe myslimanët të punojnë për të kapërcyer paragjykimet dhe moskuptimet, si edhe i nxiti udhëheqësit politikë dhe fetarë të sigurojnë paprekshmërinë e të drejtave themelore të njeriut, e në veçanti lirinë fetare.
Gjithashtu Papa Racinger përshëndeti vendimin që u mor gjatë punimeve të Seminarit për krijimin e një komiteti ndërfetar të përhershëm për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.

Të krishterët dhe myslimanët “duhet të punojnë së bashku për të nxitur respektin e pastër të dinjitetit të qenies njerëzore dhe të të drejtave themelore të saja, edhe pse pikëpamjet tona antropologjike dhe teologjike e shfaqin këtë në mënyra të ndryshme.” Kjo qe thirrja që Benedikti XVI u bëri pjesëmarrësve në Seminarin e organizuar nga Forumi katoliko-mysliman. Ati i Shenjtë nënvizoi se “ka një fushë të gjerë në të cilën mund të veprohet në mënyrë të harmonishme për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave morale që janë pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët:

“Vetëm duke filluar nga njohja e vendit të parë që zë njeriu dhe nga dinjiteti i çdo qenie njerëzore – shtoi Ati i Shenjtë – duke respektuar dhe mbrojtur jetën që është dhanti e Hyjit, dhe që është e shenjtë për të krishterët dhe myslimanët, vetëm duke u bazuar tek kjo njohje mund të gjejmë një truall të përbashkët për ndërtimin e një bote më njerëzore.” Një bote, vuri në dukje Papa Racinger, “në të cilën ballafaqimet dhe dallimet shqyrtohen në mënyrë paqësore dhe fuqia shkatërruese e ideologjive zhduket.”:

“Prap edhe një herë – pohoi Papa – shpresa ime është që këto të drejta njerëzore themelore të mbrohen nga secili dhe kudo.” Pastaj, u kujtoi Benedikti XVI “udhëheqësve politikë dhe fetarë” se e kanë “për detyrë të mbrojnë ushtrimin e lirë të këtyre të drejtave në respektimin e plotë të ndërgjegjes dhe besimit fetar të secilit.” Papa Racinger i përkufizoi si “akte të papranueshme dhe të pajustifikueshme” “diskriminimet dhe dhunën që ende sot shumë besimtarë në zona të ndryshme të botës provojnë në kurriz si dhe persekutimet të cilave iu nënshtrohen.” Gjithë kjo, vijoi në thirrjen e vet Papa “bëhet ende më e rëndë dhe më e dënueshme kur kjo bëhet në emër të Zotit.”:

“Emri i Zotit – pohoi Papa – mund të jetë vetëm një emër paqeje dhe vëllazërimi, drejtësie dhe dashurie.” “Ne – vijoi Ai në thirrjen e vet – jemi të thirrur të tregojmë, me fjalë dhe ende më tepër me veprime, se mesazhi i feve tona është gjithnjë një mesazh harmonie dhe mirëkuptimi të ndërsjelltë.” Një detyrë “themelore” pohoi Papa, që nëse nuk zbatohet sjellë “dobësimin e besueshmërisë dhe të efikasitetit jo vetëm të dialogut”, ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve “por edhe të vetë besimeve fetare.” Papa shpreson se nisma të tilla si ky forum do të krijojnë hapësira më të mëdha për dialogun me qëllim që “të kapërcehen mosmarrëveshje dhe keqkuptimet.”:

“Le të punojmë për të kapërcyer paragjykimet e së kaluarës dhe të qortojmë opinionet shpesh të shtrembëra që kemi për njëri-tjetrin të cilat ende sot krijojnë kaq vështirësi në marrëdhëniet tona, – tha Papa. Le të punojmë për t’i edukuar të gjithë dhe veçanërisht të rinjtë për ndërtimin e një të ardhmeje të re.” Papa nuk harroi të nënvizojë rëndësinë e Seminarit e mbi të gjitha nëse ky seminar do të bëjë që “reflektimet dhe zhvillimet pozitive që dalin nga dialogu ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve” nuk do të kufizohen tek një grup ekspertësh dhe studjuesish” por të vihen në shërbim të të gjithëve dhe të sjellin fryte në jetën e përditshme. Më tej Papa u ndal tek tema e seminarit: “Dashuria e Zotit - dashuria ndaj të afërmit” duke vënë në dukje se ndonëse kemi “koncepte të ndryshme” për Zotin, “të gjithë duhet të tregojmë nëpërmjet respektit dhe solidaritetit të ndërsjelltë, se e quajmë veten anëtarë të një familjeje të vetme, të krijuar dhe të dashur për Hyjin.
Në veçanti Ati i Shenjtë mbeti i kënaqur për mbatjen e një qëndrimi të përbashkët nga seminari mbi nevojën për të adhuruar Zotin dhe për të dashur pa interes vëllezërit tanë, “veçanërisht ata që janë në nevojë.”







All the contents on this site are copyrighted ©.