365 ditë: "Xhorxh Lëmetrë, meshtari që zbuloi big bengun".
(06.11.2008 RV)Në vitin 1964, në një universitet amerikan, dy inxhinierë mbajnë
një konferencë. Quhen Vilson e Pencias. Kanë shpikur kohët e fundit një radar tejet
të fuqishëm, i cili u krijon mundësinë të marrin emisionet që vijnë nga satelitët,
për të përmirësuar kështu telekomunikacionin në SHBA. Ky radar, që merr valë shumë
të largëta nga hapësira, është një hap vigan përpara për zhvillimin e shkencës. Por
Vilsonit e Pencias u lindi një problem me shpikjen e tyre. Në radar dëgjohet gjithnjë
një si fëshfërimë misterioze. U munduan ta pastrojnë antenën, duke menduar se e kishin
ndotur pëllumbat… por fëshfërima nuk u zhduk. Papritmas njëri nga të pranishmit
në konferencë, bën një pyetje: “E sikur kjo fëshfërimë të jetë big bengu i don Lëmetrë?”. Në
sallë dëgjohen të qeshura. Big bengu i don Lëmetrë, për ata që kanë dëgjuar të flitet
për të, është diçka qesharake. Rreth tridhjetë vjet më parë, në vitin 1931, një
meshtar e shkencëtar belg, Xhorxh Lëmetrë, formuloi teorinë e tij mbi lindjen e hapësirës:
miliarda e miliarda vjet më parë, universi ishte vetëm një pikë e ndritshme. Kjo pikë
shpërtheu si një fishekzjarr, duke krijuar galaktikat, miliarda yje që u përhapën
në të katër anët. Që atëherë, sipas Xhorxh Lëmetrë, galaktikat vijojnë të largohen
njëra nga tjetra e universi vijon të zmadhohet gjithnjë më shumë. Kur meshtari belg
e shpjegoi teorinë e tij, shumkush u tall me të. “Një farë prifti po përpiqet
të provojë shkencërisht se hapësira u krijua nga Zoti, duke u nisur nga hiçi”- shpjegojnë
disa shkencëtarë. “Është çmendur. Nuk ka mundësi që universi të zgjërohet!” – pohojnë
të tjerët. Fundja, mund të themi se nuk e besoi askush. Zbulimi i tij u quajt ‘Big
beng’, për t’u tallur me shpërthimin, për të cilin flet!Kur Vilsoni e Pencias dëgjuan
të flitet për këtë teori, falë pyetjes që u bë gjatë konferencës, vendosën ta shqyrtojnë
seriozisht big bengun e Xhorxh Lëmetrë. Në fund të fundit nuk duhet nënvleftësuar
asgjë. Dy shkencëtarët mbetën me gojë hapur, kur kuptuan se fëshfërima e radarëve
të tyre përkonte plotësisht me llogaritjet e Lëmetrë: shkaktohej nga lëvizja e galaktikave,
që largohen njëra nga tjetra. Falë radarit të ri, askush nuk tallet më me big bengun,
që nis të konsiderohet si teori e mirëfilltë shkencore, e njohur nga të gjithë. E
ky ishte shpërblimi më i mirë për Xhorxh Lëmetrë.