2008-11-05 15:35:59

Shkruhet historia e re në SHBA: Obama, presidenti i parë afro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë


(5.11.2008 RV)RealAudioMP3 Barak Obama është presidenti i ri amerikan. Në një ditë historike, që solli për herë të parë në pushtet një president me ngjyrë, bir afrikani, kandidati demokrat fitoi me 52% të votave e, bindshëm në të gjitha shtetet më të rëndësishme, kundër republikanit, Xhon Mek Kein. Obama është presidenti i 44-t i SHBA-ve. Pas shpalljes zyrtare të rezultateve të votimit, kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë iu drejtua kombit me një fjalim nga shtabi i tij i përgjithshëm në Çikago.
“If there is anyone out there...”
Nëse dikush ka akoma dyshime, kjo natë tregoi se Amerika është vendi ku gjithçka është e mundur”.
Kështu foli Baraka Obama para turmës së mbledhur në Parkun e Madh të Çikagos, duke iu referuar pa dyshim zgjedhjes së të parit zezak në Shtëpinë e Bardhë, për të udhëhequr një vend, i cili që prej 200 vjetësh mban mbi vete njollën e skllavërisë.
Fitorja e Obamës shihet si një ndryshim rrënjësor: një politikan i ri demokrat pas epokës republikane të Xhorxh Bushit, e cila ka përfunduar me rezultate katastrofike. Mjafton të krahasojmë buxhetin federal në fillim e në fund të karrierës së tij. Në vitin 2000, SHBA dispononin një surplus prej 230 miliard dollarësh, ndërsa në vitin 2008 ato kanë një defiçit prej 455 miliard dollarësh. Është rritur gjithashtu papnunësia, inflacioni dhe është dobësuar dollari. Natyrisht, presidentit aktual, i cili do të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janarin e vitit 2009, i është dashur të përballojë atentatet kundër Kullave Binjake e krejt krizën botërore që pasoi. Të dëgjojmë komentin e Paolo Mastrolilit, gazetar italian, përgjegjës i shërbimit të politikës së jashtme për TG1-RAI, i cili ndodhet aktualisht në Nju Jork:
Është një fitore historike edhe për shkak të përmasave: Barak Obama arriti të fitojë në shumë zona, që në të kaluarën kanë qenë republikane. Kjo do të thotë që me mesazhin e me karizmën e tij, arriti të ribashkonte disi një vend që ka mbetur i ndarë në vite. Është një fitore edhe më domethënëse, sepse tregon aftësinë për ndryshime të demokracisë amerikane, aftësinë për t’u ripërtërirë.
Obama fitoi në ato shtete, që gjatë zgjedhjeve të fundit kanë votuar për presidentin aktual Bush: Ohaio, Florida, Virgjinia. Pse?
Është e qartë se ekzistonte pakënaqësi e madhe ndaj administratës Bush. Presidenti është në nivelin minimal të popullaritetit, jo aq për luftën në Irak, për mënyrën se si luftoi terrorizmin, por sidomos për krizën ekonomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.