2008-11-05 15:37:31

Reagime pozitive për zgjedhjen e Obamës. Gëzon Afrika


(5.11.2008 RV)“Fitorja jote tregoi se askush nuk duhet të ketë frikë për të ëndërruar shndërrimin e botës në një vend më të mirë”. Kështu shkruan në mesazhin e tij për Barak Obamën, lideri afrikanojugor, Nelson Mandela. E krejt Afrika, në veçanti Kenia, ku ka lindur i ati i Obamës, e priti me gëzim të madh suksesin e senatorit afro-amerikan. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e kryeqytetit ganez, Akra, imzot Çarls Palmer-Bakëll:
Është arësye për t’u gëzuar fort, pasi një bir i Afrikës, të paktën një herë të vetme, është në krye, të themi, të Kombit më të madh të botës. Kjo na thotë se afrikani është i aftë të arrijë kulmin. Shpresa jonë është se tani afrikanët do ta vlerësojnë më shumë vetveten, e do të marrin guximin për të bërë atë që duan e që besojnë se duhet bërë për të përmirësuar situatën në botë.
Barak Obama ka përpara sfida të rëndësishme, në fushën ekonomike para së gjithash, por edhe në fushën e ambientit, të terrorizmit e të rivalitetit me vendet e tjera në rritje, si Kina, Rusia, por edhe India, vendet arabe e ato të Amerikës Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.