2008-11-04 14:50:30

Me 4 nëntor kalendari kishtar përkujton Shën Karl Borromeun.


(04.11.2008 RV)RealAudioMP3 Faqja e sotme e kalendarit shënon emrin e njërit nga ipeshkvijtë më të mëdhenj në historinë e Kishës: atë të Karl Borromeut, njeriut që ishte i madh në dashuri, i madh në doktrinë, i madh në apostullim, por sidomos, i madh në përshpirtëri e devocion.
Zëri i tij na flet e na kujton se “Shpirtërat fitohen në gjunjë!”. Fitohen me lutje, me lutje të përvujtë. E Karl Borromeu mund të konsiderohet një nga pushtuesit më të mëdhenj të shpirtrave që njeh historia e Kishës.
Bir i Gjilbert Borromeut e i Margeritës së Mediçëve, pronarë të mëdhenj tokash rreth Liqenit të Madh, nip i vetë Papës Piu IV, Karl Borromeu, i lindur më 1538 - do të kishte mundur të gëzonte fatin e bijve të dytëlindur në shtëpitë e pasura: të bëhej ushtarak ose të ndiqte karrierën kishtare, me kamje e të ardhura jetike. Gjithsesi kjo nuk do të ndodhte, sepse Karli do t'i dhuronte meshtarisë jo vetëm korpin, por edhe gjithë shpirtin e fenë e vet të pakufishme.
I emëruar që në moshën 12 vjeçare komendatar, që përfitonte të ardhurat e Komendës së Abacisë të Aronës, prej 2. 000 skudash, qe thirrur më pas në Romë nga i ungji që e zgjodhi Protonoter Apostolik dhe e krijoi kardinal në moshën 22 vjeçare, ndonëse nuk ishte shuguruar ende meshtar. Pak më vonë do të emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij. Ndërsa pas vdekjes së xhaxhait, më 1565, si refuzoi zgjedhjen në fronin e papnisë, u kthye në Milano, ku zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme, i rrethuar nga njerëz të aftë e shembullorë. Gjatë episkopatit të tij, Milano u bë shembull për të gjitha qytetet tjera italiane. Nga Roma, shenjtorët e reformës katolike shikonin me admirim e ngushëllim Karl Borromeun, model për të gjithë ipeshkvijtë, që e shkriu deri në fund jetën për Kishën. Por gjithë kjo veprimtari ia shkatërroi shëndetin. Ndonëse i sëmurë rëndë, vijoi vizitat e tij baritore, pa ngrënë, pa fjetur, duke u lutur e duke dhënë mësim. E ndoqi deri në frymën e fundit veprimtarinë e të gjitha veprave, që kishte themeluar.
Më 3 nëntor 1584 ipeshkvi titan i Milanos, u shemb nën peshën e lodhjes e të sëmundjes. Ishte vetëm 46 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.