2008-11-04 17:14:23

Ipeshkvijtë e Orisës, në Indi u japin zemër të krishterëve viktima të persekutimeve dhe kërkojnë drejtësi


(04.11.2008 R.V.)Një letër baritore e nënshkruar nga të gjithë ipeshkvijtë e Orisës u lexua dje në të gjitha kishat e këtij shteti indian. Siç dihet që nga fundi i gushtit e deri më tash dhuna kundër të krishterëve ka shkaktuar më se 60 të vdekur, 50 mijë të shpërngulur, 180 kisha të shkatërruara dhe dëmtime në banesa, kuvende, spitale dhe qendra mikpritjeje.
“Kishim nevojë t’i jepnim zemër popullit tonë të sfilitur nga këto sulme mizore e barbare – tha për agjencinë Azianjuz Imzot Raphael Cheenath, kryeipeshkëv i Kutak-Bubanesvar, një nga nënshkruesit e letrës së hapur. “Në të njëjtën kohë - tha ai, - deshëm t’u shpjegonim se historia e Orisës hyn tek historia e Kishës së përbotshme, në të cilën vëmë re se të krishterët janë persekutuar nëpër shekuj.”
Në letër prelatët thonë se “përkulen përvujtërisht përpara besimit të fortë” që treguan të krishterët dhe janë krenarë që ata “ditën t’i bëjnë ballë çdo forme kanosjeje dhe kërcënimi.” Letra mbyllet me një falenderim për të gjithë ata “persona, shoqata të shoqërisë civile, gazetarë, organizata joqeveritare, aktivistë politikë, qytetarë të ndërgjegjshëm” në Indi e në botë, për mbështetjen që iu kanë dhënë të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.