2008-11-04 14:51:08

365 ditë:"Paktet Lateranense i sigurojnë Papës lirinë për të kryer misionin universal".


(04.11.2008 RV)RealAudioMP3 Rreth e qark Sheshit të Shën Pjetrit, sipër shtyllave, janë vendosur dhjetra shtatore. Më 7 qershor 1929 Mario, që punon murator në Vatikan, përfiton për t’u ngjitur mbi këtë vrojtore. Me që është llafazan i madh, ia nis bisedës me një shtatore aty pranë. “Shiko”, i thotë , “Rojet italiane po largohen nga Sheshi e po zëvendësohen me ato të papës. Vatikani nuk i përket më shtetit italian”. Nga gëzimi, Mario i jep një të puthur shtatores.
“Dëgjove? Ti s’po tregon kurrfarë entuziazmi! A e merr vesh ç’po ndodh apo jo? Papa Piu XI nënshkroi Paktet lateranense me Musolinin, kapon e Italisë. Me këtë marrëveshje, Kisha rivendoset në Vatikan, në këtë territor që rrethon Sheshin e Shën Pjetrit”.
Shtatorja s’bëzan fare....
“Ej mik, ç’heshtje prej mermeri. E pra duhet ta kujtosh ç’ngjau më 1870: këtu ke qenë edhe atëherë, kur ushtria italiane pushtoi shtetin e Papës. Atë vit Roma, që ka qenë gjithnjë kryeqytet i Kishës, u bë kryeqytet i Italisë: ia vodhën papës”.
Shtatorja nuk shkandullohet fare... Më pas Papa, ose më mirë të themi, papët, sepse qenë pesë, nuk patën asnjë kontakt me Italinë, ndonëse vijonin të jetonin këtu, në zemër të Romës. Papa ishte zemëruar me qeverinë italiane e zemërimi ishte i anasjelltë. Po më në fund problemi u zgjidh!”.
Shtatorja s’luan vendit asnjë milimetër...
“Je e vetmja që reagon kaq ftohtësisht përballë një lajmi të tillë. Mbarë Italia është në festë. Falë Pakteve lateranense, krishterimi bëhet fe zyrtare e shtetit italian e Kisha ka përsëri territorin e vet. Do të thuash, Vatikani është i vogël, sa një shami, por papës nuk i duhet një vend vigan, për të ushtruar autoritetin e tij mbi gjithë botën. I duhej të paktën një shtet, sado i vogël, për të qenë i pavarur nga Italia, më kupton apo jo?”.
Jo, shtatorja nuk kupton... Mario i mbështet miqësisht një dorë mbi sup.
“Aq më keq për ty! Unë po zbres. Mos i thuaj askujt se erdha këtu të bisedoj me një shtatore. Unë nuk duhet të ngjitem këtu. Megjithatë, mirupashfshim!”.Kur Piu XI nënshkroi këtë marrëveshje me Musolinin, u ngritën shumë zëra kundër. Njerëzit druheshin se papa nuk do të ishte më i lirë, përballë atij që do të bëhej diktator i tmerrshëm. Por nuk ndodhi kështu. Piu XI i dënoi me forcë si fashizmin, ashtu edhe nazizmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.