2008-11-03 18:22:39

Papa në Meshën për shpirtrat e kardinajve e të ipeshkvijve vdekur gjatë vitit: “Vdekja na kujton se jemi në shtegtim drejt amshimit”.


(03.11.2008 RV)RealAudioMP3 Vdekja na kujton një gjë tepër të rëndësishme: se të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë, të paracaktuar për lumturinë e amshuar në atë masë, me të cilën hyjmë në misterin e Hyjit. Këtë theksoi sot Papa gjatë Meshës, kryesuar në bazilikën e Shën Pjetrit, për shpirt të kardinajve e të ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit. Mbrëmë Ati i Shenjtë zbriti në Kriptën e Vatikanit, ku u lut për papët e vdekur.

Benedikti XVI i kujtoi me dashuri të madhe ipeshkvijtë, kryeipeshkvijtë e kardinajtë, që vdiqën gjatë vitit, duke shqiptuar një për një emrat e njëmbëdhejtë kardinajve të vdekur e duke cituar, më pas, një fragment nga Libri i Urtisë (4,7-15), sipas të cilit: “Pleqëria e ndershme s’matet me numrin e viteve, e as me thinjat, por me urtinë dhe jetën e pastër e patëmetë”.

“E në se Zoti e thërret parakohe pranë vetes një të drejtë, domethënë se ka për të planin e vet të parapëlqyer, i cili për ne është i panjohur: vdekja e parakohshme e njeriut që duam është ftesë, e cila na kujton se nuk duhet të jetojmë si njerëz të rëndomtë, por duhet të shpejtojmë e ta jetojmë shenjtërisht jetën tonë… Bota i quan me fat ata që jetojnë gjatë, por Zoti, më shumë se jetëgjatësinë, shikon pastërtinë e zemrës. Bota vlerëson njerëzit e mësuar, të ditur, po Zotit i pëlqejnë më shumë të vegjëlit”.

 
Kemi, pra, një kontrast ndërmjet asaj që duket sikur shikojnë sytë e njerëzve, e asaj që shikojnë sytë e Zotit. Por këto dy përmasa të reales: ajo e përkohshmërisë dhe e dukjes, e ajo ‘e thella, e vërteta dhe e amshuara’ – shpjegoi Papa - nuk vihen në një vazhdimësi të thjeshtë kohore njëra pas tjetrës, sikur jeta e vërtetë të fillonte vetëm pas vdekjes:

“Në realitet jeta e vërtetë, jeta e amshuar, fillon që në këtë botë, ndonëse në pasigurinë e ngjarjeve të historisë; jeta e amshuar nis në atë masë, që ne ia hapim zemrën misterit të Hyjit dhe e pranojmë mes nesh. Është Hyji Zot i jetës e në Të jetojmë, lëvizim e ekzistojmë” (Vap 17,28).
 
Nga ana tjetër - pohoi Benedikti XVI – në perspektivën e urtisë ungjillore edhe vetë vdekja na jep një mësim të mirë, sepse na detyron ta shikojmë sy në sy realitetin:

“Na shtyn ta pranojmë kotësinë e të gjitha gjërave që duken të mëdha e të fuqishme në sytë e botës. Përballë vdekjes humbet kuptimin gjithçka që e shtyn njeriun të mburret, ndërsa del në pah ajo që vlen seriozisht. Gjithçka mbaron, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë. Vetëm Zoti e ka jetën në vetvete: është vetë Jeta!".

 
Prandaj – shtoi Papa – njeriu mund të arrijë në jetën e pasosur, vetëm duke hyrë në logjikën e dhurimit: ashtu si Hyji na u dhurua ne në Krishtin, kështu edhe ne jemi të thirrur t’ia dhurojmë vetveten të tjerëve: është logjika e dashurisë, që na bën të kalojmë nga vdekja në jetë, pavarësisht nga ligështitë tona njerëzore. Kjo fjalë jete e shprese – përfundoi Papa – na ngushëllon pa masë përballë misterit të vdekjes, posaçërisht kur na i merr njerëzit që i duam më shumë:
 
“Në se na trishtoi ndarja prej njerëzve të dashur e vijon ende të na hidhërojë thellë mungesa e tyre, feja na mbush me ngushëllim, duke na kujtuar se ashtu si për Zotin Jezus, e gjithnjë për hir të Tij, vdekja nuk ka më pushtet mbi ta (cfr Rom 6,9). Duke kaluar, në këtë jetë, përmes zemrës së mëshirshme të Krishtit, kanë hyrë në ‘një vend pushimi’’ (Ur 4,7): E tani dëshirojmë me gjithë zemër t’i mendojmë në shoqërinë e shenjtorëve, të lehtësuar më në fund nga hidhërimet e kësaj jete, e ndjejmë edhe ne dëshirën të bashkohemi një ditë me këtë shoqëri kaq të lumtur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.