2008-11-03 16:55:02

Kongo:ndihmat humanitare të OKB-së mbërrijnë në zonën e luftës


(3.11.2008 RV)RealAudioMP3 Ministrat e jashtëm të Francës dhe të Britanisë së Madhe, Kushner dhe Miliband, bëjnë një thirrje të përbashkët nga Kenia ku ndodhen, për ndalimin e dhunës në Kivun e Veriut, në Republikën Demokratike të Kongos. Prej muajsh kjo zonë është përfshirë në një luftë të përgjakshme civile ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe rebelëve, të udhëhequr nga gjenerali Nkunda. Diplomacia evropiane përvijoi mundësinë për të rritur forcën e paqes së OKB-së dhe u kërkoi qeverive të Kongo-Kinshasës e të Ruandës të fillojnë bisedimet. Ruanda akuzohet se mbështet rebelët.
Ndërkaq, gjenerali Nkunda pretendon uljen e menjëhershme në tryezën e bisedimeve me qeverinë e Kinshasës, përndryshe kërcënon se do ta vazhdojë sulmin kundër pushtetit qendror. Përgjigjia e qverisë së presidentit Kabila nuk vonoi. Nuk pranon negociata të drejtpërdrejta me gjeneralin Nkunda.
Emergjenca humanitare, për shkak të dhunës në Kivun e Veriut, bëhet gjithnjë e më e rëndë. Refugjatët kanë arritur shifrën 1 milion e 600 mijë. U duhen ushqime, ujë e ilaçe, për të cilat po mendojnë vetëm pak organizata të pranishme, në pritje të ndihmave ndërkombëtare. Një karvan i parë, i shoqëruar nga helmetkaltërtit e OKB-së, arriti në Rutshuru, kështjellë e rebelëve. Në mikrofonin tonë, Beatriçe Lukardi, e Bashkëpunimit ndërkombëtar Jug-Jug, e pranishme me projekte të ndryshme në Republikën Demokratike të Kongos:
Masa popullsie detyrohen të zhvendosen; tani është sezoni i shirave, prandaj punët bëhen shumë të vështira: gjatë rrugës shumë gjejnë baltë e sëmundje. Personat nuk kanë asnjë lloj infrastrukture e shpesh mbështeten nga popullsia e vendit. Është vërtet e vështirë të llogaritet numri i viktimave.
Popullsia nuk e kupton se pse ushtarët e OKB-së ndërhyjnë me vonesë, duke qenë në vend; ushtarët qeveritarë kryejnë edhe abuzime në zonat që nuk i njohin; e ekziston edhe problemi i fëmijëve ushtarë apo jo?
Problemi ka qenë shumë i fortë gjatë luftës civile, edhe pse ekziston aspekti rinor i dëshirës për ndërhyrje, për reagim, që sigurisht ka ndikuar në marrjen si ushtarë. Tani shumë organizma e agjensi ndërkombëtare po denoncojnë fenomenin.Sipas tyre, rebelët që po luftojnë në Kivun e Veriut, kanë rimarrë në shërbim fëmijët që UNICEF-i e agjensi të tjera i kishin kthyer në jetën civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.