117 –vjetori i ditëlindjes së priftit, poetit e prozatorit shqiptar Dom Ndre Zadejës.
(03.11.2008 RV)Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi
në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë
italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar
nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit
u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin
ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet
edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur
pranvere, 26 prill 1916. Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin
si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë
vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtark në Bogë,
për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat
më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë
e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të
ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane
të beatifikimit. Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë
të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin
e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen
e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza";
"Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve
në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk
mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. Në rrugët
e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësisht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës,
që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej
të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: "Kanë grî Dom Ndrenë!". E
tani, kur për emrin e tij flitet si për atë të një të lumturi të ardhshëm, urojmë
që në një ditë jo të largët, në rrugët e rrugicat e Shkodrës plakë, që pas më se një
gjysëm shekulli janë shtrembëruar edhe më keq se atë ditë kur plumbat i grabitnin
një nga bijtë më të mirë, të ndjehet një zë i hareshëm. "Po naltohet në elter Dom
Ndreu, martiri që lau me gjak një tokë të martirizuar: atë të Shkodrës! Qe martiri
i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të
parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit. E ndërsa vijon polemika për
disidencën, figura madhore e Don Ndreut, Meshtarit, Poetit e Atdhetarit që i tha "jo"
diktaturës, na kujton se disidentët e vërtetë, të cilët nuk munguan, iu kundërvunë
pa asnjë kompromis, regjimit gjakatar të Enver Hoxhës deri në vdekje, për të merituar
nderimin më të lartë: atë të lartimit në elter!