2008-11-02 17:10:14

365 ditë: "Vinçenc Lebè, belgu më kinez se kinezët".


(02.11.2008 RV)RealAudioMP3 28 tetori është ditë feste për Vinçencin Lebè. Feston njëzet e pesë vjetorin e meshtarisë në Kinë, por nuk është kjo gjëja që e bën kaq të lum. Ndodhet në Romë për të marrë pjesë në shugurimin e ipeshkvijve të parë kinezë nga papa Piu XI: është ditë e jashtëzakonshme, sepse deri më sot nuk ka pasur ipeshkvij kinezë e Vinçenci luftoi shumë që të vinte kjo ditë.
Sapo arriti në Kinë, në vitin 1901, e pa menjëherë se diçka nuk shkonte. Misionarët shikoheshin si zotërinj, si të kishin epërsi të madhe mbi kinezët. Pak më vonë, Vinçenc Lebé, asokohet njëzet e pesë vjeçar, u shugurua meshtar. Brenda një viti mësoi gjuhën kineze. Nisi të rrëfejë e të kremtojë Meshën në këtë gjuhë, me bindjen se Kisha duhet t’i afrohej popullit kinez, në se dëshironte të pranohej prej tij. Në se do të mbetej në duart e evropianëve, dmth të huajve, kinezët do t’i afroheshin me vështirësi fesë së krishterë. Ai vetë nisi ta ndjente veten qind për qind kinez, aq sa ndërroi edhe emrin. Nisi të thirret Lei Ming-jan. Themeloi edhe një gazetë, që pati shumë sukses, e hapi disa salla për të mbajtur konferenca, në të cilat flitej për problemet më të mprehta të Kinës. Eprorët e tij nuk i shikonin me sy të mirë këto metoda të reja, tepër revolucionare për shijet e tyre. Por, pavarësisht nga qëndrimet e kundërshtarëve, Vinçenc Lebé nuk ndërroi rrugë e u bë gjithnjë më popullor. Kinezët i besonin plotësisht: ai ishte bërë njeriu i tyre. Një ditë mori vesh se Papa kishte kërkuar të bëhet një studim, sepse nuk e kishte të qartë pse feja katolike përhapej kaq me vështirësi në Kinë. Atë Vinçenci shfrytëzoi rastin për të folur fjalën e tij e për të kërkuar emërimin e ipeshkvijve vendas, sepse vetëm ata e njohin vërtetë shpirtin e historinë popullit të vet! Këtë herë e teproi fare! Kaloi çdo kufi. U thirr, prandaj, në Evropë, pë të ndjekur studentët kinezë. Bëri dëgjesën. U kthye e iu kushtua me gjithë shpirt detyrës së re për shtatë vjet, derisa një ditë ëndrra e tij e madhe u realizua: Papa ia dëgjoi zërin e tani është i pranishëm në emërimin e ipeshkvijve kinezë, lista e të cilëve iu besua pikërisht atij, që e njihte Kinën si moskush. Ditë tepër e rëndësishme për dom Lei Ming-jan.
Pak muaj më vonë meshtari belg u rikthye në Kinë, në vendin që e kishte aq për zemër, ku kaloi ditët që i mbeteshin për të jetuar, duke marrë edhe nënshtetësinë kineze.
Më 1931, kur japonezët pushtuan Kinën e shpërtheu lufta, Vinçenci organizoi mijëra të krishterë, që e ndihmonin për të mjekuar të plagosurit. U bë, kështu, hero kombëtar i Kinës!







All the contents on this site are copyrighted ©.