Papa: kujtimi i shenjtorëve na tërheq drejt qiellit
(01.11.2008 RV)Benedikti XVI gjatë
lutjes së Engjëllit të Tenzot në solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve mbajtur në
mesditë në Vatikan, tha:
Të dashur vëllezër e motra, Kremtojmë sot me gëzim
të madh festën e të Gjithë Shenjtorëve. Duke vizituar një fidanishte botanike, njeriu
mbetët i mrekulluar para larmisë së pemëve e luleve, e në mënyrë spontane të shkon
mendja tek fantazia e Krijuesit i cili e ka bërë tokën një kopsht të mrekullueshëm.
Ndjenja të ngjashme na pushtojnë kur e konsiderojmë spektaklin e shenjtërisë: bota
na duket si një “kopsht”, ku Shpirti i Zotit nxit me fantazinë e mrekullueshme një
aradhe shenjtorësh e shenjtëreshat , të çdo moshe e kushti social, të çdo gjuhe, populli
e kulture. Secili është ndryshe nga tjetri, me tiparet e posaçme të personalitetit
të vet njerëzor e të karizmes së vet shpirtërore. Por që të gjithë bartin “vulën”
e Jezusit (krh Zb 7,3), do të thotë gjurmët e dashurisë së tij, të dëshmuar përmes
Kryqit. Të gjithë janë në gëzim, në festë të pa mbarim, por, si Jezusi, këtë cak e
kanë arritur duke kaluar përmes mundimit e sprovave (krh Zb 7,4), duke e përballuar
secili pjesën e vet të flijimit për të marrë pjesë në lavdinë e ringjalljes.
Solemniteti
i të Gjithë Shenjtorëve është formuar gjatë mijëvjeçarit të parë të krishterë si kremtim
i përbashkët i martirëve. Që në vitin 609, në Romë, Papa Bonifaci IV e pati shuguruar
Pantheonin duke ia kushtuar Virgjërës Mari e të gjithë Martirëve. Ndër të tjera, këtë
martirizim, mund ta kuptojmë në kuptimin e gjerë të fjalës, do të thotë si dashuri
për Krishtin pa rezerva, dashuri që shprehet në dhuratën e plotë të vetes Zotit e
vëllezërve. Ky cak shpirtëror, drejt të cilit të gjithë të pagëzuarit priren, arrihet
duke ndjekur udhën e “lumturive” ungjillore, që liturgjia na i tregon e propozon në
solemnitetin e sotëm ( krh Mt 5,1.12.a). Është e njëjta udhë e shënuar nga Jezusi
e të cilën shenjtorët e shenjtëreshat janë munduar ta përshkojnë, me vetëdijen e
plotë që kishin për kufizimet e tyre njerëzore. Në ekzistencën e tyre tokësore, në
të vërtetë, kanë qenë të varfër në shpirt, të pikëlluar për shkak të mëkateve, të
butë, të uritur e të etur për drejtësi, të mëshirshëm, të pastër në zemër, punëtorë
të paqes, të persekutuar për shkak të drejtësisë. E Zoti i ka bërë ata pjesëmarrës
të lumturisë së Tij Hyjnore: në këtë botë e kanë parashijuar e, përtej, e gëzojnë
lumturinë në plotësi. Tani janë të ngushëlluar, trashëgimtarë të tokës, të nginjur,
të falur, e shohin Zotin bijë të të cilit janë. Me një fjalë: “e tyre është Mbretëria
e qiellit” (krh Mt 5,3.10).
Në këtë ditë e ndjejmë në ne se po na afrohet
fuqia tërheqëse drejt Qiellit, që na shtyn ta përshpejtojmë hapin e shtegtimit tonë
tokësor. Në zemër ndjejmë ndezjen e dëshirës së flaktë për t’u bashkuar përgjithmonë
me familjen e shenjtërve, pjesë e së cilës kemi hirin të jemi qysh tani. Siç thotë
një këngë e njohur spiritual: “Kur do të vijë aradha e shenjtorëve të tu, oh sa do
të doja, o Zot, të isha ndërmjet tyre!”. Urojë që ky synim e kjo dëshirë të ndizet
flakë në të gjithë të krishterët, e ti ndihmojë të kapërcejnë çdo vështirësi, çdo
frikë, çdo vuajtje, çdo mjerim! Të dashur miq, ta vejmë dorën tonë në dorën amënore
të Marisë, Mbretëreshës të të Shenjtorëve, e ta lejmë veten të na udhëheq Ajo drejt
atdheut qiellor, në shoqërinë e shpirtrave të lumë “ të çdo kombi, populli e gjuhe”
(Zb 7,9). E në lutje të bashkohemi me të dashurit tanë të vdekur, të cilët i përkujtojmë
nesër.