Me 1 nëntor Kisha kremton festën e Gjithë Shenjtorëve.
(01.11.2008 RV)Festa e të Gjithë Shenjtorëve e bashkon në një kujtim të vetëm
këtë familje të pafundme, që na e mbush zemrën me ngushëllim. Nganjëherë ndokush ankohet:
“Jam vetëm. Ndjehem i vetmuar”. Po nuk është kështu: “Mendo se nuk je kurrë vetëm,
se je i rrethuar nga familja e Shenjtorëve, nga shoqëria e shenjtorëve, nga përqafimi
i tyre. E ky mendim për praninë e Shenjtorëve në jetën tonë, duhet të jetë i përhershëm,
sepse Shenjtorët në qiell nuk mund të rrinë duarkryq. Parajsa nuk është strehë e artë
pushimi. Parajsa është vendi ku jetohet thellësisht dashuria. E në se urdhërimi i
dashurisë vlen për ne në tokë, aq më tepër duhet të vlejë për Shenjtorët në qiell.
Prandaj Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, pak para se të vdiste, pati thënë: “Jam duke
hyrë në pushim…madje, jo në pushim – vijoi duke e korrigjuar veten – sepse kohën time
në qiell do ta kaloj duke bërë mirë mbi tokë”. Shenjtorët janë të shumtë e të gjithë
janë pranë nesh, sepse kush është bërë një me Zotin, është bashkuar me dashurinë e
dashuria nuk mund të rrijë dyarkryq. Ky është një mendim që na ngushëllon e na ndihmon
t’i përballojmë me optimizëm e me besim të plotë stuhitë e jetës, edhe duke u nisur
nga shoqëria e Shenjtorëve. Si mund t’ua shpjegojmë njerëzve të kohëve tona
ç’do të thotë shenjtëri? Mbi të gjitha duhet ta pastrojmë Shenjtërinë nga një
lloj hije irreale që e rrethon nganjëherë. Shenjtorët janë vetje që e jetojnë me fund
jetën e tyre. Janë njerëz vërtetë të realizuar. Janë njerëz të suksesshëm, sepse suksesi
nuk është fama që fitohet në një kampionat futbolli, në realizimin e një filmi, në
çfarëdo lloj pune njerëzore. Suksesi i vërtetë i jetës është shenjtëria; e shenjtëria
është realizim i plotë i jetës njerëzore. Prandaj Krishti i quan shenjtorët të Lum.
Lumnitë janë pikërisht karakteristikë e Shenjtorëve. Të varfërit shpirt, dmth ata
që e kanë shpirtin të lirë, që nuk kanë etje për para, për pushtet, për sukses, që
nuk ëndërrojnë mite e nuk e duan dhunën; që janë plot mëshirë, që nuk dinë ç’është
urrejtja, që e kanë zemrën të pastërt, të papërbaltur, janë njerëz që kanë arritur
lumturinë, janë vërtetë të Lum. Kur flasim për shenjtërinë, duhet ta kemi mirë parasysh
se ideali i shenjtërisë është ideal që e bën njeriun të lumtur, të realizuar, sepse
shenjtorët janë ata që e kanë realizuar plotësisht planin e Zotit e, prej këndej,
edhe vetveten e tyre si njerëz. Nganjëherë e pyes veten cili është më njerëzor se
Shën Françesku i Asizit, cili është më burrë se ai e cila është më grua se Nënë Tereza.
Ndonëse janë shembuj tepër të lartë, kjo nuk na pengon të ecim në gjurmët e tyre,
sepse kjo është rruga që duhet përshkuar, për ta realizuar plotësisht vetveten. E
më kujtohet një thënie e Leon Bloit, një njeriu të penduar, plot zjarr, i cili një
ditë pati thënë: “Ekziston vetëm një lloj trishtimi: është trishtimi që na pushton
kur mendojmë se nuk jemi shenjtorë e unë dëshiroj që askush të mos e provojë këtë
trishtim; dëshiroj që të gjithë të jenë shenjtorë.