2008-10-31 17:45:19

Kontributi i shkencave psikologjike në vlerësimin e kandidatëve për meshtari. Orientimet e Vatikanit


(31.10.2008 RV)RealAudioMP3 Kongregata për Edukimin Katolik paraqiti “Orientimet” mbi kontributin e mundshëm të shkencave psikologjike në vlerësimin e një kandidati për meshtari. Organizmi i Vatikanit përsëriti “jo”-në e tij për shugurimin e personave me prirje homoseksuale.
Psikologjia mund të jetë e dobishme në një epokë, ku mbizotërojnë forma të ndryshme relativizmi moral dhe kulturor, me kusht që kontributi i saj të mbetet gjithnjë pjesa më pak e rëndësishme e rrugës formuese të një seminaristi. Gjithashtu, eksperti duhet të jetë besimtar, apo, siç thuhet në dokument, “ta ndërthurë shkencën psikologjike me këndvështrimin e fesë”.
Kush troket në portën e seminarit për t’u bërë meshtar sjell pa dyshim me vete, përveç filizave të thirrjes, edhe “plagët” pak a shumë të thella të kohës sonë. Kardinali prefekt i dikasterit të Edukimit Katolik, Zenon Groçolevski, i rreshtoi këto plagë në fillim të fjalës së tij, gjatë konferencës së djeshme të shtypit në Vatikan. Konsumizmi, paqëndrueshmëria e marrëdhënieve familjare dhe shoqërore, relativizmi moral, pikëpamjet e gabuara mbi seksualitetin, mundësitë e pakta për të zgjedhur rrugën e jetës, mohimi sistematik i vlerave janë të gjitha forma, që ndikojnë në mentalitetin e të riut, i cili dëshiron të bëhet meshtar, duke shkaktuar probleme të karakterit, ose pasiguri për thirrjen.
Për gjykimin e kandidatit mbetet në fuqi rruga e zakonshme, e ndjekur deri tani, nga ipeshkvi tek ati shpirtëror, të cilët kanë parasysh se thirrja është dhuratë e veçantë e Zotit. Në këtë kuadër, shkencat psikologjike mund ta ndihmojnë Kishën, për vlerësimin e kandidatëve, vetëm në raste apo problematika të veçanta:
“Nuk duhet të jetë një praktikë e detyrueshme as e zakonshme në pranimin apo në formimin e kandidatëve për meshtarë. Në këtë kuptim, roli i psikologut është integrues, jo zëvendësues, si në dallimin fillestar, ashtu edhe në formimin e mëtejshëm”.
Hapat e para për hartimin e dokumentit vatikanas janë bërë në vitin 1995, por ai pasqyron mendimin e Kishës, të pjekur që në vitet ’70. Përmes pyetjeve të gazetarëve, u fol edhe për një problem tepër delikat: atë të qëndrimit ndaj një kandidati me prirje homoseksuale. Ja përgjigjia e kardinal Groçolevskit:
“Nëse kjo prirje ka lëshuar rrënjë, kandidati nuk mund të pranohet në ushtrimin e meshtarisë, pikërisht për natyrën e kësaj të fundit. Prandaj, kjo është një plagë që ndikon pikërisht në ushtrimin e meshtarisë, në marrëdhëniet me të tjerët, e nuk ka të bëjë thjesht me aftësinë për të mos pasur raporte homseksuale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.