2008-10-31 18:26:39

365 ditë: "Fjala e fundit e jezuitit Miguel Pro: “Rroftë Krishti Mbret!”.


(31.10.2008 RV)Atë Miguel Agustin Pro ecën kokulur, i zhytur në mendimet e veta të trishtuara. Që prej tri vjetësh, duke filluar nga vitit 1924, kur gjenerali Kalles mori pushtetin në Meksikë, të krishterët e vendit ndjehen thellësisht të shqetësuar: presidenti i shikon si të ishin armiqtë e tij më të rrezikshëm. E pra nuk kanë bërë gjë prej gjëje. I vetmi faj i tyre është se besojnë në Krishtin, të cilit Kalles nuk mund t’ia dëgjojë as emrin. Prandaj dëshiron t’i zhdukë ndjekësit e tij nga Meksika. E prandaj ka miratuar edhe ligje, të cilat i konsiderojnë kriminelë besimtarët që shkojnë në Meshë e dërgon ushtrinë për t’i kapur të gjithë ata që nuk i respektojnë këto ligje. Asnjë mëshirë për rebelët! Të vriten, pa kursyer as gratë e fëmijët.
Në Meksikë shumica e popullsisë është katolike: persekutimi i Kalles i përfshin të gjithë. E ndodh pikërisht ajo, që s’duhej të ndodhte.
Në fillim të vitit 1927 në vend, posaçërisht në zonat fshatare, shpërthen një nga kryengritjet më të përgjakshme. Fshatarët rrokin armët, duke treguar kështu se nuk e durojnë më zgjedhën e diktatorit. U kundërvihen ligjeve të tij për zhdukjen e fesë dhe e quajnë veten Kristeros (që do të thotë ndjekës të Krishtit Mbret), në nderim të Jezu Krishtit, në emër të të cilit kanë ngritur krye.
Ashtu si shumë meshtarë të tjerë, edhe jezuiti Miguel Pro, bëhet kapelan i fshatarëve Kristeros: i ndihmon me të gjitha mënyrat, jeton me ta, e thotë Meshën për ta. E, në se do të jetë nevoja, edhe do të vdesë me ta. Që kur ia dhuroi jetën Jezusit, duke u bërë meshtar, ai nuk ka qëllim tjetër, veçse t’i shërbejë Zotit deri në fund të fundit. Kalles nuk duhet t’ia arrijë qëllimit, nuk mund e nuk duhet ta zhdukë Zotin nga Meksika.
“Rroftë djalli!”, këtë brohori blasfeme dëgjon një ditë rregulltari prapa supeve. E dëgjon e ndalohet. Mjafton kaq, që ushtarët e Kalles t’i sulen e ta mbërthejnë në zinxhirë. E ai, me zë të fuqishëm e të sigurtë, i përgjigjet parullës së qeverisë, me atë të fshtarëve Kristeros: “Rroftë Krishti Mbret!”.
Në çastin e pushkatimit, Miguel Pro nuk e di se lufta do të vijojë edhe dy vjet të tjera, deri në vitin 1929. E nuk e di as se historia e Kristeros nuk do të përfundojë mirë. E dërmuar nga këto ngjarje, Kisha detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje me Kalles. Ipeshkvijtë besojnë se vetëm kështu mund të shpëtojnë atë, që ka mbetur nga Kristeros... po Kalles përfiton nga ky çast dobësie duke i masakruar të gjithë ata, që iu bindën zërit të Kishës për t’i dhënë fund kryengritjes e për t’i ulur armët.
Në vitin 1988, shumë kohë pas kësaj historie tragjike, Papa Gjon Pali II e shpalli jezuitin Miguel Pro të Lum. Deshi, kështu, të nderonte kujtimin e të gjithë meksikanëve Kristeros, të cilët derdhen pa kursim gjakun, që Meksika të mbetej e krishterë. Pas Kalles, asnjë president tjetër meksikan nuk i sulmoi më të krishterët.







All the contents on this site are copyrighted ©.