Me 30 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gjermanin.
(30.10.2008 RV)Kush dëshiron ta njohë më thellësisht Shën Gjermanin, mund të
shfrytëzojë një bibliografi të pasur, që flet për të e për veprimtarinë e tij, duke
filluar nga libri me titull “Jeta e Shën Gjermanit”. Vepra, shkruar tre shekuj pas
vdekjes, jep njoftime të përgjithshme për jetën e ipeshkvit shenjt. Gjermani lindi
në Kapua, në shekullin V. Ishte bir i Amancios e Gjulianës, qytetarë të shquar të
qytetit historik. Pas vdekjes së babait, Gjermani trashëgoi një pasuri të madhe. Me
miratimin e s’ëmës, shiti gjithçka kishte lënë i jati. Paratë e fituara nga shitja,
ua ndau të varfërve. Kështu mundi t’i kushtohej plotësisht jetës shpirtërore, për
të cilën ishte i thirrur dhe t’i kalonte ditët e jetës tokësore me lexime të shenjta,
lutje e pendesë. Në vitin 519, pas vdekjes së ipeshkvit të Kapuas, sipas zakonit të
kohës, kleri dhe populli e zgjodhën Shenjtin në vendin e prelatit të vdekur. Jetoi
në kohën e skizmës akaçiane, që mori emrin e patrikut të Kostandinopojës, Akaçio.
Skizma zgjati 35 vjet dhe e ndau Kishën e Lindjes nga Roma. Por që në ditët e
para të zgjedhjes së Justinianit, perandori kërkoi nga papa të dërgonte një delegacion
për të rivendosur paqen ndërmjet dy Kishave. E papa e dërgoi menjëherë delegacionin,
në krye të të cilit caktoi ipeshkvin e Kapuas, Gjermanin, gjë që tregon sa i urtë
e i virtytshëm ishte Shenjti. Delegacioni, i pritur triumfalisht në Kostantinopojë,
ia doli mbanësh t’i bindte kundërshtarët ta pranonin formulën e papës. Ishte e Enjtja
e Madhe e vitit të largët 519. Këshu u rivendos paqja e u kapërcye rreziku i thellimit
të përçarjes. Delegatët e papës ndenjën një vit të tërë në Bizanc, për ta përforcuar
rezultatin e madh që ishte arritur, për ta përhapur edhe në Kishat e tjera Lindore
e për të përballuar rrezikun e kundërshtimeve që mund të vinin nga murgjërit shiitë.
U kthyen në Romë më 10 korrik të viti 520, vit pas të cilit ipeshkvi shenjt vijoi
veprimtarinë e gjithanshme në favor të bashkimit e të lulëzimit të Kishës. Shën
Benedikti tregon se, ndërsa po lutej në Montekasino, pa në vegim shpirtin e Shën Gjermanit
duke u ngjitur në qiell, i mbartur nga Engjëjt. Patriku shenjt dërgoi menjëherë njerëz
të interesoheshin për shëndetin e Shenjtit. Mori përgjigjen se kishte dhënë shpirt
pikërisht në çastin kur ai kishte pasur vegimin: ishte data 30 tetor e vitit 541.