2008-10-30 16:11:43

Deklarata përfundimtare e konferencës islamo-kristiane (pjesa I)


(30.10.2008 RV)“Të krishterët e myslimanët janë të thirrur të punojnë krah për krah, duke bashkëpunuar me shtetin ku bëjnë pjesë, pa iu nënshtruar gjithsesi qeverive. Besojmë se bashkësitë fetare dhe shteti duhet të punojnë sëbashku për të mirën e përbashkët”. Në deklaratën përfundimtare të Konferencës islamo-kristiane, organizuar nga Këshilli i Konferencave ipeshkvnore evropiane dhe Konferenca e Kishave evropiane, 45 përfaqësuesit myslimanë e të krishterë nga 16 vende të Evropës theksuan gatishmërinë e tyre për dialog e bashkëpunim me shtetin, pa hequr dorë nga identiteti i tyre fetar. Vazhdojmë pra, të dashur dëgjues, me paraqitjen e rezultateve të konferencës me temë “Të jesh qytetar në Evropë dhe njeri i fesë. Të krishterë e myslimanë si partnerë aktivë në shoqëritë evropiane”, e cila përfundoi në Bruksel më 23 tetor. Sot, fillojmë me pjesën e parë të deklaratës përfundimtare.
Disa vende evropiane kanë Kisha të shtetit, të tjera jo. Gjithsesi, nga këndvështrimi ideologjik, të gjitha vendet mbajnë një qëndrim neutral ndaj fesë. Një sjellje e tillë ka bërë që të gjitha Kishat e fetë të trajtohen barabar, t’u njihen të njëjtat të drejta e detyra morale e të njëjtat përgjegjësi. Por, në disa raste, vihet re një proces, që priret ta mbyllë fenë në sferën private personale. Nganjëherë, kjo sjell mënjanimin e fesë nga sfera publike e si pasojë, edhe eliminimin e çdo lloj manifestimi publik të saj.
Konferenca islamo-kristiane e Brukselit vuri në dukje se si shteti, ashtu edhe bashkësitë e krishtera, kanë për detyrë dhe të drejtë të udhëheqin ndjekësit e tyre. Në një shoqëri demokratike, shteti nuk mund t’i detyrojë qytetarët e vet të zgjedhin ndërmjet besnikërisë ndaj vetë shtetit dhe bindjeve personale fetare. Shteti ka të drejtë t’u kërkojë të gjithë qytetarëve të vet një impenjim publik të qartë ndaj demokracisë dhe përgjegjësinë për integrimin e traditave fetare, së cilës u përkasin, në jetën, kulturën dhe traditën e vendit. Prandaj, shteti e bashkësitë fetare duhet të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët. Kjo sjellje – nënvizojnë myslimanët e të krishterët evropianë – është fryt i përkatësisë sonë jo vetëm në bashkësitë tona fetare, por edhe në atë projekt të përbashkët që quhet qytetarësi.
Deklarata përfundimtare e konferencës së Brukselit përvijon më pas një sërë impenjimesh:
“Si të krishterë e myslimanë, besojmë se e ardhmja e shoqërive evropiane do të varet gjerësisht nga gatishmëria jonë, si qytetarë e si njerëz të fesë, për të ruajtur e vlerësuar themelet kulturore e fetare në Evropë e nga aftësia jonë për të kontribuar në arritjen e këtij qëllimi.
Si myslimanë e të krishterë, besojmë në parimin e integrimit, i cili nuk sjell e nuk duhet të sjellë kurrë kërkesën për të hequr dorë nga identiteti ynë fetar. Për shembull, kjo mund të ndodhë nëse ndalohet të veshim ose të mbajmë simbole fetare në vende publike, ose nëse hiqen festat fetare me pretekstin se kremtimi i tyre mund të prekë ndjeshmërinë e besimtarëve të feve të tjera, apo të shkojë kundër parimeve të një shteti laik.
Si të krishterë e myslimanë, njohim të drejtën e lirisë së ndërgjegjes, lirisë për të ndërruar fe apo për të jetuar pa besuar në ndonjë fe, të drejtën për të manifestuar ose shprehur publikisht bindjet personale fetare pa u përqeshur, pa u detyruar të heshtim nga paragjykime, stereotipe, apo nga injoranca.
Si myslimanë e të krishterë, besojmë se dialog do të thotë si të dëgjosh, ashtu edhe të flasësh, duke thelluar kështu mirëkuptimin e anasjelltë. Prandaj, ripohojmë kërkesën për t’i dëgjuar burrat e gratë në çdo fushë të jetës civile.
Dialogu duhet bërë ndërmjet nesh, si myslimanë e të krishterë, por edhe me fetë e tjera të rëndësishme, me traditat humaniste e me mënyrat e tjera të jetesës. Aty ky dialogu kthehet në aksion, gjejmë organizatat jo qeveritare, këshillat konfesionale e organizata të tjera komunitare. Të mësojmë si t’i shërojmë plagët e ndarjes, të hapura në konfliktet e kaluara, me qëllim që të bëhemi ambasadorë të pajtimit. Për ta bërë këtë duhet të njihemi.
Të dashur dëgjues, pjesën e dytë të deklaratës përfundimtare të konferencës islamo-kristiane të Brukselit do ta dëgjoni në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.