2008-10-30 14:00:22

Benedikti XVI në Angola të Afrikës nga 20 deri më 23 mars


(30.10.2008 RV)Benedikti XVI do të zhvillojë udhëtimin e tij në Angola të Afrikës nga 20 deri më 23 mars. Këtë bën të ditur një komunikatë e nuncit apostolik në Luanda, imzot Angjelo Beçiu. “Papa do të jetë në Luanda me 20 mars dhe do të rrijë në Angola deri më 23 – informon nunci – vizita e tij do të kufizohet në qytetin e Luandës dhe dëshiron të përqafojë idealisht të gjithë angolezët, të krishterë dhe jo të krishterë, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë”.
“Sigurisht, informon nunci, Papa do të ketë një kremtim solemn paraditen e të dielës më 22 mars, në të cilin mund të marrin pjesë besimtarë të shumtë të dioqezave të ndryshme të Angolës. Do të ketë sigurisht edhe një takim i Papës me të rinjtë, me misionarët dhe me kategori të ndryshme të personave. Pastaj do t’i bëjë edhe një vizitë presidentit të Republikës Hozè Eduardo Dos Santos”.
Një delegacion i Vatikanit do të jetë në Angola javën e ardhshme për të studiuar përmbajtjen e vizitës apostolike të Papës Ratcinger, që është e para në tokën afrikane. Ky udhëtim i Atit të Shenjtë do të ketë në program edhe Kamerunin, siç është shprehur vetë Papa të dielën e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.