2008-10-30 16:12:25

365 ditë: Rinia Punëtore e Krishterë


(30.10.2008 RV)Marku është punëtor në rrethinat e Parisit. Sot, një ditë tetori e vitit 1926, sapo i ka mbushur njëzet e tri vjetët, por punon në fabrikë prej shumë kohe. Puna nuk i pëlqen fare. Është tejet e mërzitshme. Marku punon në zinxhirin e montimit: përsërit të njëjtën lëvizje gjithë ditën, për të mbledhur pjesët e këmbimit të një makine.
Sonte, duke dalë nga fabrika, ndalohet para një afisheje, në të cilën dallohet nga larg sigla RPK. Duke u afruar, lexon një ftesë për të marrë pjesë në takimin e Rinisë Punëtore të Krishterë, një organizatë krejt e re, themeluar një vit më parë në Belgjikë nga një farë abati me emrin Kardijn. Në Francë e solli kohët fundit abati Guerë.
Pasi i shpjegonte shkurtimisht këto gjëra, afishja përfundonte me me tri fjalë, shkruar me shkronja të mëdha, që përbënin moton e shoqatës: “Shiko, gjyko, vepro!”. Nuk kishte hollësira të tjera. Për të ditur diçka më shumë, duhej shkuar në mbledhje. Marku largohet mendueshëm. Këto tri fjalë i tingëllojnë si sfidë. Me sa duket RPK-ja mbledh të rinj punëtorë, që nuk duan të zvetënohen nga puna, por ta kontrollojnë jetën e tyre pranë makinave e ta organizojnë me urti. Duan edhe të takohen me punëtorë, që bëjnë punë të tjera, për të ballafaquar pervojat e ndryshme, për të folur mbi vështirësitë e sukseset e secilit. E, ndoshta, edhe për t’i përmirësuar kushtet e punës. Një shoqatë me shumë anëtarë, natyrisht mund të ketë një farë ndikimi edhe në jetën e fabrikave...
E pastaj është edhe shkronja e fundit e siglës ‘K’, dmth e Krishterë. Kjo shkronjë e çudit dhe e tërheq pa masë Markun, që është i krishterë, gjë e rrallë në botën e asokohshme punëtore. Në të vërtetë shumica e punëtorëve nuk besonte në Zotin e tallej haptazi me ata që e besonin. Deri në këtë ças, Marku nuk u kishte treguar shokëve se është katolik. Ndoshta-ndoshta kjo shoqatë do t’ia forconte besimin në vetvete e do ta bënte krenar për fenë e tij. Shiko, gjyko e vepro si punëtor i krishterë..... Po, sa më shumë e mendon këtë program jete e pune, aq më shumë i pëlqen. Ku ta dish, ndoshta do të mësohet edhe ta dojë mjeshtrinë e ta jetojë ndryshe lidhjen me të. Në takimin e parë me RPK-në Marku ndodhet në mes të një grupi prej shtatëdhjetë punëtorësh. Disa vjet më vonë, në korrik të vitit 1927, do të bëhen dyqind. Në vitin 1933 shoqata do të tërheqë njëzet mijë punëtorë e më 1937, masa e punëtorëve do të vërshojë aty si vala e detit: RPK-ja do të fitojë zemrat e dyqind mijë punëtorëve, të cilët do të nisin ta jetojnë punën në një mënyrë krejt të re.







All the contents on this site are copyrighted ©.