2008-10-29 16:57:25

Papa në audiencën e përgjithshme: “Dija e vërtetë është dashuria pa interes”.


(29.10.2008 RV)RealAudioMP3 Teologjia e Kryqit, siç na e përshkruan Shën Pali, shkandull për judenjtë e marrëzi për paganët, por urti e Hyjit, i cili e tregon dashurinë e tij në ligështi, ishte në qendër të katekizmit që mbajti sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme. Të pranishëm, rreth njëzet mijë besimtarë.
Papa, duke vijuar katekizmin kushtuar Shën Palit, vuri sot në qendër të vëmendjes pikën kryesore të teologjisë së Apostullit të Popujve: Kryqin. Benedikti XVI u nis nga ngjarja e jashtëzakonshme e kthimit të Saulit të Tarsit, i cili nga persekutues i të krishterëve, u bë kumtues i palodhur i Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, duke përballuar mijëra rreziqe e vështirësi. Në takimin me Krishtin, atij iu bë i qartë kuptimi kryesor i Kryqit: kuptoi se Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë:

“Ditë për ditë, në jetën e tij të re, provonte se shëlbimi ishte ‘hir’, se gjithçka rridhte nga vdekja e Jezusit e jo nga meritat, që ai nuk i kishte. Ungjilli i hirit u bë kështu për të, e vetmja rrugë për ta kuptuar kryqin, kriter jo vetëm për jetën e tij të re, por edhe për përgjigjen që duhet t’u jepte bashkëfolësve”.

Judenjtë mbështeteshin në veprat e shëlbimit, grekët vinin mbi gjithçka dijen njerëzore, heretikët sajonin një krishterim në përkim me interesat e tyre. Ndërsa për Palin, Kryqi do të thotë shëlbim, do të thotë hir, që Hyji ia dhuron çdo krijese:
 
“Shkandulli’ e ‘marria’ e Kryqit qëndrojnë në faktin se atje ku duket se ka vetëm dështim, dhimbje, disfatë, pikërisht atje është e gjithë fuqia e dashurisë së pakufishme të Hyjit, sepse Kryqi është shprehje e dashurisë, e dashuria është fuqia e vërtetë, që zbulohet pikërisht në atë, që duket si dobësi”.

Shën Pali kumton me guxim Krishtin e kryqëzuar. Pëson persekutime e poshtërime, me vetëdijëen se ai që mbron Kryqin, duhet ta paguajë këtë me një çmim tepër të lartë:

“Ta pranosh kryqin e Krishtit, do të thotë të bësh një kthesë të thellë në mënyrën e lidhjes me Zotin. Në se për judenjtë shkaku i mospranimit të kryqit është Zbulesa, dmth besnikëria ndaj Hyjit të Etërve, për grekët, dmth për paganët, kriteri i gjykimit për t’iu kundërvënë Kryqit, është arsyeja. Për këta të fundit, Kryqi është ngordhje, marri, mendjetrashësi, dmth gjellë pa kripë, prej këndej, më shumë se gabim, është fyerje ndaj gjykimit të shëndoshë”.

Kështu Pali provon shpesh përvojën e hidhur të mospranimit të misterit të Kryqit, që shikohet si i padenjë për t’u përfillur nga arsyeja:

“Për ata që, si grekët, e shikonin përsosurinë në shpirt, në mendimin e pastër, ishte e pranueshme që Hyji të bëhej njeri, duke hyrë në të gjithë shtrirjen e hapësirës e të kohës. Por ishte plotësisht e pakonceptueshme pastaj, që një Zot të përfundonte në kryq! E ne shikojmë se kjo logjikë greke është edhe logjika e zakonshme e kohës sonë”.

Dashuria e Hyjit - pohoi Benedikti XVI - shprehet në dobësinë e tij:

Kryqi na zbulon ‘fuqinë e Hyjit’(cfr. Kor 1,24), që ndryshon nga fuqia njerëzore; na zbulon dashurinë e tij, sepse: “Çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit, e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit (v.25). Shumë shekuj pas Palit, ne shikojmë se në histori fitoi Kryqi, e jo dija që iu kundërvu Kryqit”.

Papa i ftoi të gjithë besimtarët ta pranojnë Kryqin, duke gjetur forcë në përvujtërinë e dashurisë, për të marrë kështu pjesë në vdekjen e në ngjalljen e Jezusit:

“Ne të gjithë duhet ta formojmë jetën tonë mbi këtë dije të vërtetë: të mos jetojmë për vetveten, por të jetojmë me besim në atë Zot, për të cilin mund të themi: “Më deshi e flijoi jetën për mua!”.
 
Në përfundim të katekizmit, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, duke iu drejtuar shtegtarëve sllovakë, Papa kujtoi se të dielën e ardhshme Kisha na fton të lutemi për shpirtrat e të vdekurve. Kujtimi i tyre – shtoi Benedikti XVI – duhet të na nxisë të mendojmë për amshimin, duke ia kushtuar jetën vlerave që nuk zhduken.Së fundi, duke përshëndetur besimtarët e dioqezës së Bergamos, ardhur në Romë për të kujtuar pesëdhjetë vjetorin e zgjedhjes së të Lumit Gjoni XXIII, uroi që kujtimi i papës Ronkali, i cili vijon të jetë i gjallë në kujtesën e popullit të krishterë, t’i nxisë të gjithë, e sidomos bashkëvendasit e tij, të ecin me entuziazëm në rrugën e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.