2008-10-29 18:43:57

Konferenca islamo-kristiane e Brukselit: opinioni i imamit të Lisbonës dhe i ipeshkvit ndihmës të Sarajevës


(29.10.2008 RV)Të dashur dëgjues, vazhdojmë sot t’ju njohim me përmbajtjen dhe argumentet e konferencës islamo-kristiane që u mbajt në Bruksel, nga 20 deri më 23 tetor, me temën “Të jesh qytetar evropian dhe njeri i fesë”. Dje, dëgjuat se si përfaqësuesit e krishterë në Konferencën, e organizuar nga Komiteti i përbashkët për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, pas të cilit qëndrojnë Këshilli i Konferencave ipeshkvnore evropiane dhe Konferenca e Kishave evropiane, vunë në dukje se sëbashku me myslimanët duhet dhe mund të reflektohet mbi mënyrën e të qenit qytetarë të Evropës dhe mbi përgjegjësitë që çdo bashkësi fetare duhet të marrë përsipër për të mos i lënë besimtarët të vetëm para integralizmave.
U bën jehonë Imami i Lisbonës, sheiku David Munir. “Myslimanët që e njohin me të vërtetë Islamizmin – thotë ai – e dinë se ekziston një rrënjë e përbashkët që na lidh me krishterimin. Për këtë, të krishterët respektohen. Fatkeqësisht, gjatë historisë, myslimanët e të krishterët kanë bërë gabime. Me këto takime, e duke u njohur më thellë, ne mësojmë se si të mos bëjmë më gabimet e së kaluarës”. Përsa i përket iniciativës së Brukselit, imami thekson: “Konferenca të këtij lloji na sigurojnë se nuk jemi vetëm, se ekzistojnë shumë persona, në pjesë të ndryshme të Evropës, që besojnë në dialog. Kjo do të thotë se pas kësaj konference, secili kthehet në bashkësinë e vet për të ndërtuar ura e marrëdhënie të rinovuara”. “Ne – shton imzot Pero Sudar, ipeshkëv ndihmës i Sarajevës – kemi përvojë shekullore bashkëjetese me etni e fe të ndryshme e mund të dëshmojmë se kjo është e mundur. Nga ana tjetër, fatkeqësisht, mund të dëshmojmë edhe se gjithçka përfundon në kob nëse dialogu me tjetrin nuk ngrihet në nivelin e opcionit të preferuar”.
Duhet pasur besim tek dialogu, si mjet me të cilin mund të zgjidhen problemet ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, u theksua në konferencë. “Ne – thotë kardinali Zhan Pierr Rishar, kryeipeshkëv i Bordosë e zv.president i Këshillit të Konferencave ipeshkvnore evropiane – kemi besim në ata myslimanë, që dëshirojnë të krijojnë me të vërtetë një islam të Evropës, një islam për Evropën, duke u nisur nga situata evropiane. Ne kemi besim tek ata”. Jo vetëm kaq. Të krishterët e myslimanët kanë përgjegjësi në “sqarimin e opinionit publik evropian, që mund të priret nga islamofobia. Nëse në disa anë të botës, të krishterëve u mohohet liria fetare e pra edhe mundësia për të kremtuar në vende kulti, e nëse nganjëherë rrezikojnë të bëhen objekt diskriminimi, këto situata paradoksalisht rrezikojnë të ushqejnë një lloj islamofobie në Evropë. Kjo është një arësye më tepër – shton kardinali Rishar – për ta përballuar sëbashku këtë sfidë, duke shpjeguar mirë situatat e aty ku është e mundur, duke mbajtur qëndrime të përbashkëta. Reciprociteti është një çështje tepër delikate, por dialogu e bashkëpunimi me myslimanët në Evropë nuk mund e nuk duhet të varet nga ndryshimet e situatave që mund të ndodhin në vende të tjera. Dialogu mund të fillojë këtu e sot” – përfundoi kardinali Rishar.







All the contents on this site are copyrighted ©.