2008-10-29 16:56:43

365 ditë: "Zhan Koktò e Zhak Maritë: ‘akrobati’ e ‘frati portier".


(28.10.2008 RV)Zhan Koktò 1 e Zhak Maritë 2 nuk kishin asgjë të përbashkët. As që mund të gjindeshin dy karaktere më të ndryshme në tërë Parisin.
Zhan Koktò ishte artist i shkëlqyer, i aftë për të krijuar në fusha nga më të ndryshmet. Shkruante vepra teatrale, xhironte filma, pikturonte. Maritë e quante ‘akrobat’, ndoshta sepse, duke i përdorur me aftësi krijuese të jashtëzakonshme gjithë këto talente, dukej si të ishte akrobat!
Zhak Maritë ishte po aq i kulturuar, sa Kokto, por fusha e tij krysore ishte filozofia. Kjo disiplinë i hap njeriut rrugën për të reflektuar mbi botën, mbi jetën njerëzore e mbi Zotin. Maritë ishte profesor, ndërsa Koktò e mbiquante ‘frati portier’, nga që kishte urtinë dhe përvujtërinë e murgut, që ruan hyrjen në kuvend.
Me gjithë ndryshimet që kishin, Zhan Koktò e Zhak Maritë u bënë miq që në takimin e tyre të parë, në vitin 1924, e mbetën të lidhur ngushtë për gjithë jetën. Miqësia e tyre ishte pak si e veçantë. Ndokush mund të besojë se për të qenë miq, do të thotë të mendosh në të njëjtën mënyrë për çdo lloj argumenti e t’i pranosh të gjitha opinionet e tjetrit, për të mos e fyer. Ndërsa miqtë tanë nuk ishin pothuajse kurrë të një mendjeje…
Zhak Maritë e gruaja e tij, Raisa, ishin të krishterë. Zoti ishte shkëmbi, mbi të cilin e kishin ndërtuar jetën e tyre. Kur i njohu, Koktò u prek thellë nga feja e tyre e u bë edhe ai i krishterë, por disi në mënyrën e vet…. Duke i besuar një Zoti, që i shkonte më për shtat: Zoti i Koktosë ishte gjithnjë i një mendjeje me të. Natyrisht gabohej, e prandaj Maritë e qortonte shpesh.
Por burimi kryesor i moskuptimit të dy miqve, ishte homoseksualiteti i Koktosë. Artisti lidhej më shumë me burra, sesa me gra. Ndërsa Zhaku e Raisa qenë të bindur se homoseksualiteti ishte shteg i verbër, rrugë që nuk mund të të dhurojë kurrë lumturinë. E këtë Zhak Maritë u mundua t’ia shpjegonte me delikatesë mikut të vet, pa e akuzuar e pa e gjykuar, në letrat e tij mahnitëse.
Koktò e Maritë zemroheshin shpesh njëri me tjetrin, por grindjet nuk i çuan kurrë deri në këputjen e miqësisë. Duheshin shumë, për ta bërë këtë. … e pavarësisht nga të gjitha, Koktò e vlerësonte çiltërsinë e Maritë. Pak para se të vdiste, në vitin 1963, artisti do të thoshte për mikun e tij filozof: “Nuk gjeta kurrë në të as fajin më të vogël, që mund t’i shuante ndjenjat e mia të respektit e të dashurisë vëllazërore”.
Një mënyrë e bukur për ta përfunduar këtë miqësi kaq të thellë me një filozof që shkroi: “…masat e përsosurisë janë drejtësisa e miqësia…”.

1 Zhan Moris Eugjen Klement Koktò (Mezò-Lafit, 5 korrik 1889- Mili-la-Foret, 11 tetor 1963: poet, romancier e dramaturg francez. Qe edhe piktor, regjisor, skenograf e aktor.
2 Zhak Maritë ( Paris 1882 - Tuluzë 1973) filozof i famshëm francez.







All the contents on this site are copyrighted ©.