2008-10-28 17:18:45

Përfundoi në Bruksel Konferenca evropiane islamo-kristiane


(28.10.2008 RV)Të dashur dëgjues, vetëm pak ditë më parë, më 23 tetor, përfundoi konferenca evropiane islamo-kristiane, e financuar nga Bashkimi Evropian. 45 myslimanë e të krishterë, të ardhur nga 16 vende evropiane u mblodhën në qytetin Mechelen të Belgjikës për të diskutuar mbi temën: “Të jesh qytetar evropian dhe njeri i fesë”. Takimi u organizua nga Komiteti i përbashkët për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, pas të cilit qëndrojnë Këshilli i Konferencave ipeshkvnore evropiane dhe Konferenca e Kishave evropiane. Konferenca u zhvillua në kuadrin e Vitit evropian për dialogun ndërkulturor dhe me rastin e 60-vjetorit të Deklaratës së të drejtave të njeriut.
Sot po fillojmë një cikël të shkurtër emisionesh mbi këtë takim, mbi pjesëmarrësit e mbi argumentet, që u diskutuan në të. Ua japim së pari fjalën vetë pjesëmarrësve.
“Nuk ishte një konferencë konfrontimi doktrinal mbi divergjencat apo konvergjencat teologjike, por një takim pune për të gjetur ato çështje, për të cilat mund të aktivizohemi sëbashku në një projekt evropian”. Rezultatet e para të Konferencës islamo-kristiane i përvijon atë Hans Foking i Këshillit të Konferencave ipeshkvnore evropiane. “Së pari, kemi pasur mundësinë të kalojmë tri ditë me rreth 20 myslimanë, të ardhur nga vende të ndryshme evropiane e nga tradita të ndryshme, për të diskutuar sëbashku problemin shoqëroro-politik të qytetarisë e të përgjegjësisë si burra e gra të fesë në shoqërinë evropiane”, thekson atë Foking. U konsolidua kështu një rrjet bashkëpunëtorësh myslimanë, që do t’ì lejojë Komisionit për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë të vazhdojë punën në disa pista.
Por cilat janë këto pista të përbashkëta pune? “Mendoj për shembull – vazhdon atë Foking – për rishikimin e librave shkollorë, si nga ana myslimane ashtu edhe nga ajo e krishterë, që në shkolla të studiohet mbi tekste që flasin drejt për traditën fetare të krishterë e myslimane”. Objektiv tjetër – vazhdon eksperti – është ta vazhdojmë punën sëbashku në nivel evropian, në bashkëbisedim me botën politike, të përfaqësuar nga Komisioni e nga Parlamenti Evropian. Në këtë kuptim, kjo konferencë është fillimi i një rruge marrëdhëniesh institucionale për t’u thelluar më tej, duke caktuar tani çështjet për të diskutuar sëbashku me bashkësinë politike evropiane.
Për çështjet e përbashkëta shprehet imzot Zhan-Lyk Brunin, ipeshkëv i Ajaços. “Kemi harxhuar shumë kohë për të kuptuar nëse është e mundur të dialogojmë ndërmjet nesh. Sot – vëren – kemi bërë një hap të ri. Nuk dialogojmë më mbi dialogun. Dialogojmë mbi disa çështje themelore për njeriun e për shoqërinë, çështje që i kemi të përbashkëta, që na janë shtruar për zgjidhje e që duhet t’i përballojmë sëbashku. Në këtë konferencë – shpjegon imzot Brunin – dialoguam mbi qytetarinë e mbi mënyrën se si të qenit njerëz të fesë, të krishterë e myslimanë, mund t’i japë ngjyrë e të përcaktojë të qenit qytetarë të Evropës”. Sipas ipeshkvit, ekzistojnë shumë probleme për të cilat myslimanët e të krishterët mund të reflektojnë sëbashku, si për shembull: dinjiteti i burrit e i gruas, respektimi i jetës nga fillimi deri në mbarim, bioetika, drejtësia shoqërore, politikat e emigracionit, respektimi i personit dhe i opinionit të ndryshëm.
Në emisionin e ardhshëm, të dashur dëgjues, do të dëgjoni opinionet e vetë myslimanëve dhe ato të të krishterëve, që për shekuj kanë bashkëjetuar me myslimanët në Evropë, siç është rasti i të krishterëve në Ballkan.







All the contents on this site are copyrighted ©.