Papa Gjoni i XXIII mirësia e zemrës në shërbim të Ungjillit. Pesëdhjetë vjet më parë
niste papnia e Papës Ronkali.
(28.10.2008 RV)Me 28 tetor 1958 zgjidhej si Papë Gjoni i XXIII. Niste kështu
një papni e shkurtër, që zgjati vetëm pesë vjet, e që praseprap dijti të përtërijë
thellësisht jetën e Kishës dhe të besimtarëve. Mjafton të përmendim dy ngjarje që
mbajnë nënshkrimin e Papës Ronkali: caktimin e Koncilit II Vatikanas dhe botimin e
enciklikës “Pacem in Terris”. Të gjithë e quajnë Të Lumin Gjon të XXIII “Papa i mirë”,
gjithnjë i gatshëm për t’iu qasur vuajtjeve të të afërmit dhe për të dhuruar një buzëqeshje
atyre që kërkojnë pak dashuri. Një mirësi ajo e Papës Ronkali, që nuk fillonte e mbaronte
tek vetvetja por e rrënjosur thellësisht tek bindja se pa mëshirën lajmit të mirë
të Ungjillit i hiqet domethënia. Kur me 28 tetor 1958 kardinali patrik i Venecies
Anxhelo Ronkali u zgjodh papë, qenë të shumtë ata që e njihnin karakterin e përvuajtur,
butësinë e bariut lindur në një familje fshatarësh afër Bergamos. E pikërisht humanizmi
do të bëhej tipari kryesor i figurës së Gjonit të XXIII, “stili” i papnisë së tij,
të cilin të gjithë, besimtarë e jo, do të mësonin të dashuronin. Qysh kur ishte meshtar
i ri Ronkali e kishte të qartë metodën e punës së tij: “Të takohesh me të gjithë”
dhe mos ta lësh kurrë vetveten të mundesh nga vështirësitë.” Ishte ky një impenjim
që do ta mbante edhe mbasi të zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, e që më pas do
ta çonte në marrjen e vendimeve të guximshme dhe largpamëse, duke përgënjeshtuar kështu
parshikimet sipas të cilave ai do të ishte një papë kalimtar për shkak të moshës së
tij të thyer. Po aq befasues qe veprimi i Papës Gjoni XXIII, kur më 26 dhjetor
1958, veç dy muaj pasi ishte zgjedhur papë, vendosi të shkonte për vizitë në burgun
e Romës “Regina Coeli”. Pothuajse një aktualizim i asaj pjesë të ungjillit në të cilën
ati i mëshirshëm takohet me djalin plangprishës. Ja fjalët e Papës: “Kam ardhur
këtu, më patë, unë vura sytë e mi në sytë e tuaj, vura zemrën time afër zemrës suaj.
Ky takim, të jini të sigurtë se do të mbetet thellë në zemrën time dhe ky vit i ri,
do të thosha, i pari vit i papnisë sime, kam kënaqësinë që po hapet me një vepër dashurie.
Në vazhdim të këtyre fjalëve po ju jap bekimin që prap, edhe njëherë, është simbol
i asaj çka na ka dhënë I Lumi nëpërmjet sakramentit të dashurisë. Do të doja që të
ishte inkurajues për të gjithë sa jeni!” Një muaj më vonë, me 25 janar 1959,
Gjoni XXIII kumtoi caktimin e Koncilit II Vatikanas, një ngjarje kjo me peshë historike,
e cila simbas qëllimeve të Papës, donte të “përditësonte” Kishën për ta bërë më të
aftë për t’ua kumtuar Ungjillin njerëzve të kohës sonë, duke hapur kështu një fazë
të re të dialogut me botën. Ja se si shprehej duke folur mbi shpresat që kishte vënë
tek Koncili, Papa Ronkali me rastin e shpalljes së datës së hapjes së punimeve të
Koncilit, caktuar për 11 tetor 1962: “Shumë të dashur bij! Koncili II Vatikanas
është përpara nesh, objekt i dëshirave dhe i ndjeteve mund të themi, i të gjithë botës.
Ne besojmë e shpresojmë tek Zoti!”