2008-10-28 16:17:38

Mesazh i Vatikanit për festën hinduiste të Divalit


(28.10.2008 RV)“Të krishterët dhe hinduistët: sëbashku për mospërdorimin e dhunës”. Titullohet kështu mesazhi që Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar u ka dërguar sot hinduistëve, me rastin e festës së tyre të divalit, festës së dritës. Dokumenti mban firmën e kardinalit Zhan-Lui Turan dhe të kryeipeshkvit Pier Luigji Çelata, respektivisht president dhe sekretar i dikasterit vatikanas.
Në mesazh përcaktohet menjëherë kuptimi që i jepet mospërdorimit të dhunës: e keqja duhet përballuar me armët e vetme të dashurisë e të së vërtetës. “Dashuria për armikun është revolucioni i dashurisë – nënvizon Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar – një dashuri që nuk varet nga aftësitë njerëzore, por është dhuratë e Zotit”.
Fetë, nënvizon dikasteri i Vatikanit, akuzohen shpesh si përgjegjëse për të këqiat e shoqërisë, por dihet se është instrumentalizimi i fesë ai që sjell shpesh dhunën, në kundërshtim me bindjet fetare themelore. Mesazhi vjen pikërisht në një kohë, kur në Indi vazhdon persekutimi i të krishterëve e kur Papa Benedikti XVI sapo ka bërë një thirrje për ndalimin e dhunës kundër tyre.
Vihet në pah figura e Mahatma Gandit, “Atit të kombit indian”, “model i mospërdorimit të dhunës”, i njohur në të gjithë botën për “përkushtimin e tij të plotë në shërbim të njerëzimit”, atij që “e kuptoi se duke zbatuar parimin “sy për sy”, e gjitha bota bëhet e verbër”.
Këshilli Papnor bën thirrje që mospërdorimi i dhunës, i inkurajuar nga të gjitha fetë, të jetë në qendër të veprimtarisë njerëzore, si mënyrë për të nxitur të vërtetën, respektimin e anasjelltë, lirinë dhe harmoninë. Hinduistët e të krishterët duhet të binden se kjo është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri botërore më të mëshirshme, më të drejtë e më të kujdesshme ndaj nevojtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.