2008-10-28 15:39:37

Gëzim në Afrikë për udhëtimin e Benediktit XVI në marsin e ardhshëm.


(28.10.2008 RV) Në Afrikë emocion dhe gëzim për udhëtimin e Benediktit XVI në marsin e ardhshëm. Nunci apostolik në Kamerun uron që vendi i tij t’u japë zemër shteteve të tjera afrikane të ecin drejt zhvillimit shoqëror. Ndërsa nunci në Angolë e quan shtegtimin e Atit të Shenjtë si një rast për të bërë përsëri thirrje për drejtësi shoqërore.
Lajmi i shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Kamerun dhe në Angolë në mars të 2009-ës u prit me gëzim dhe emocion të veçantë në Afrikë.
Shtegtimi i parë i Papës në Afrikë është një mesazh shprese, që i jepet një kontinenti të cilit Ati i Shenjtë i ka uruar shumë herë “nxitjen e një zhvillimi të zgjatur në kohë”. Rasti i vizitës në Kamerun ka të bëjë me dorëzimin e dokumentit paraprak të Sinodit të ipeshkvijve mbi Afrikën, në program për tetorin e 2009-ës . Lajmi u prit me gëzim të veçantë, në vend sikurse shpjegon nunci apostolik në Kamerun Imzot Elizeo Antonio Arioti. Ta dëgjojmë:
“Kjo vizitë e Atit të Shenjtë, — e para e Benediktit XVI në Afrikë — është një shenjë vazhdimësie: në 1995-ës Papa Gjon Pali II pati çuar atje thirrjen apostolike “Ecclesia in Africa”. Lajmi se Benedikti XVI vjen në Afrikë për t’u dorëzuar konferencave ipeshkvnore të Afrikës mjetin e ri të punës për Sinodin e ardhshëm u prit me të vërtetë me gëzim dhe me entuziazëm të madh.”
Papa pararendës pati ripohuar se të jesh dishepull i Krishtit do të thotë të vësh në praktikë “urdhërimin e dashurisë”, një dashuri e dëshmuar konkretisht “në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve”. I afërmi që duhet dashur – pati shpjeguar Ati i Shenjtë – është edhe i huaji, jetimi, vejusha e i pamunduri, me një fjalë ata qytetarë që nuk kanë asnjë mbrojtës.” Fjalë që nëse shihen të lidhura me Afrikën tregojnë dhe urgjencën për ta sjellë vështrimin misionar të Kishës dhe atë solidar të qeverive drejt këtij kontinenti. Imzot Arioti:
Të gjitha vendet e Afrikës po e përjetojnë këtë çast të vështirë. Shumëkush do ta braktisë kontinentin, por popujve iu duhet dhënë zemër që të kontribuojnë sa më shumë për zhvillimin e tyre shoqëror. Besoj se Kameruni, si vend i Afrikës qendrore që gëzon një paqe relative dhe që përpiqet të zgjidhë problemet e veta, mund të jetë një shembull i dashurisë vëllazërore. Shpresohet se kjo dashuri vëllazërore, nga e cila është frymëzuar edhe Ati i Shenjtë, të kumtohet këtu, nga Kameruni, si një vlerë që do t’u japë zemër të gjitha vendeve të Afrikës.”
Pas Kamerunit shtegtimi i Papës do të vijojë edhe në Angolë. Lajmi në këtë vend u prit me habi dhe me emocion nga populli, i cili është dëmtuar rëndë nga lufta civile që përfundoi vetëm para pak vitesh. Shpresohet që shtegtimi i Papës në këtë shtet afrikan, — i pari vend i Afrikës subsahariane që po pret lajmin e mirë të Ungjillit — të konsolidojë procesin e paqes filluar në 2002 si edhe të nxisë një zhvillim të vërtetë. Këtë nënvizon edhe nunci apostolik në Angolë Imzot Xhovani Anxhelo Beçiu:
Vizita e Papës shihet si një rast për të përforcuar edhe zhvillimin shoqëroro-ekonomik që po përjeton vendi. Shpresohet që zëri i Papës të mund të ofrojë rrugë të reja nëpër të cilat duhet ecur për një respektim më të madh të drejtësisë shoqërore. Të gjithë kanë parandjenjën se vendimi i Atit të Shenjtë për të ardhur në Angolë është përgjigja ndaj impenjimit të tyre për ta nxjerrë vendin nga periudhat e errëta.







All the contents on this site are copyrighted ©.