2008-10-27 17:39:37

Papa ambasadores së re të Filipineve: “Dallimi ndërmjet fesë e politikës është cilësi e fituar nga krishterimi”.


(27.10.2008 RV)“Dallimi ndërmjet fesë e politikës është fitore e krishterimit dhe konsiderohet si një nga kontributet e tij themelore historike e kulturore”. Kështu u shpreh sot Papa, duke pritur në audiencë për dorëzimin e letrave kredenciale, ambasadoren e re të Filipineve, Kristina Kastaner-Ponce Enrile.
“Kisha është e bindur se shteti e feja duhet ta mbështesin reciprokisht njëri-tjetrën, për t’i shërbyer, kështu, së bashku, mirëqenies personale e shoqërore të të gjithëve”. Benedikti XVI shfrytëzoi rastin e kësaj audience, për të ripohuar se bashkëpunimi i harmonishëm ndërmjet Kishës e Shtetit kërkon nga liderët kishtarë e civilë t’i kryejnë detyrat e tyre publike me shqetësim të vazhdueshëm për të mirën e përbashkët. Duke kultivuar frymën e ndershmërisë, të paanësisë e të drejtësisë - shpjegoi Papa - liderët kishtarë e civilë fitojnë besimin e popullit dhe krijojnë ndjenjën e përgjegjësisë që duhet ta kenë qytetarët në përpjekjen për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Të gjithë – nënvizoi Ati i Shenjtë - duhet të shtyhen më shumë nga dëshira për të shërbyer, se sa për të fituar personalisht ose për t’u vënë në shërbim të pakicës së privilegjuar.
Secili e ka për detyrë të punojë për fuqizimin e institucioneve publike, duke i mbrojtur nga korrupsioni, fatalizmi ose nga elitarizmi.
Lidhur me këtë, Benedikti XVI vlerësoi nismat e shumta, që po vihen në jetë në shoqërinë filipinase, për të mbrojtur njerëzit më të ligshtë, posaçërisht ata që nuk kanë dalë ende në dritë, të sëmurët e pleqtë. E këshilloi, më pas, qeverinë e Manilës, të tregojë kujdes të veçantë për punëtorët emigrantë, për respektimin e të drejtave të tyre e për integrimin e tyre në shoqëri, duke lehtësuar edhe bashkimet familjare. Së fundi Papa uroi që reforma në bujqësi, e miratuar në Filipine për të përmirësuar kushtet e jetesës të të varfërve, të sigurojë zhvillimin e shpresuar ekonomik e të sigurojë shtrirjen në tregjet ndërkombëtare, duke u lutur që nga ky zgjerim, të përfitojnë fshatarët dhe familjet e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.