2008-10-27 17:59:21

365 ditë: “Çirakët jetimë të Otej përgatiten ta përballojnë jetën si njerëz e të krishterë të vërtetë".


(27.10.2008 RV)Në oborr, disa të rinj luajnë me top. Pak më tutje, don Brotjè ecën përkrah një të sapoardhuri.
“Atëherë Remì, më thuaj, ç’dëshiron të bësh?”.
“Nuk e di, zotëri abat, nuk kam punuar kurrë. Kam ndihmuar nganjëherë bukëpjekësin për t’i çuar bukët në shtëpitë e porositësve. Sa për të fituar dy kacille. Por mua më dukej gjë e vështirë. Prandaj nuk e di në se mund të bëj një punë të vërtetë”.
“Hë, guxim, mos u shqetëso! Do të mësosh, si të gjithë. E do të shikosh shumë shpejt se puna nuk është kurrë aq e vështirë, sa mund të duket në fillim. A të pëlqente ta ndihmoje bukëpjekësin?”.
“Oh, po zotëri! Sidomos në mëngjes, kur nxirrnim bukën e ngrohtë nga furra!”.
“Atëherë, Remì, bëju bukëpjekës. Por tani eja të të njoh me djemtë e tjerë të shtëpisë... Ej, djema, mblidhuni këtu të gjithë. Ky është Remì. Sapo erdhi. Njihuni me të e tregojani shtëpinë. Do të shihemi në kapelë për lutjen”.
Djemtë paraqiten me një pështjellim gazmor, pastaj loja e topit rifillon me një lojtar më shumë. Don Brotjè niset për në zyrën e tij me një pamje ëndërrimtare.
Kanë kaluar tashmë dymbëdhjetë vjet, që kur e drejton shoqatën e çirakëve jetimë të Otëj. Që më 1923, kur kryeipeshkvi i Parisit ia besoi këtë mision, ka hapur dhjetra qendra të reja në zonë, për të pranuar sa më shumë të rinj. Tani më se njëzet mijë të rinj kanë kaluar nëpër shtëpitë e qendrat e tij, ku kanë mësuar mjeshtri e kanë zbuluar se nuk janë pa të ardhme. Për t’iu përgjigjur kërkesave të ndryshme, Don Brotjè ka shumfishuar llojet e artizanatit. Punishteve për këpucarë, zdrukthëtarë e tipografë u ka shtuar edhe ato për mekanikë, bukëpjekës, kopshtarë... Në se abati Rusel do ta shikonte sot shoqatën, që themeloi më 1866, do të mbetej me gojë hapur. Vepra e tij është zgjëruar shumë që atëhere, ndonëse vijon të ketë të njëjtin qëllim: t’u rikthejë dinjitetin njerëzor të rinjve me vështirësi të rënda familjare e shoqërore. Për abatin Rusel, e edhe për don Brotjenë, kjo është e vetmja mënyrë, për të zënë vendin e duhur në këtë botë, që duket se nuk do t’i pranojë. Djelmoshave të tij, të cilët i do si t’i kishte bij, Daniel Brotjè u përsërit vazhdimisht:
“Duhet të bëheni njerëz të vërtetë! Ky duhet të jetë ideali juaj! Njeri është ai, që e di çfarë do e këtë e realizon duke përballuar të gjitha vështirësitë!”.
Daniel Brotjè kishte një ideal: t’i edukonte të rinjtë në fe e t’u jepte bazat për ta fituar ndershmërisht jetën. E dinte çfarë donte e bëri çmos edhe për ta realizuar...







All the contents on this site are copyrighted ©.