2008-10-26 15:41:42

Pasqyra javore nga kisha e bota


(26.10.2008 RV)Janë më se 60 vendet, në të cilat regjistrohen shkelje të rënda të lirisë fetare. Këtë e mësojmë nga Raporti 2008 i Lëvizjes kishtare “Ndihmë për Kishën që vuan”, i cili u paraqit të premten e kaluar në Romë. Vendin e parë për shkeljen e së drejtës themelore të lirisë fetare e zë Azia, kontinent në të cilin në 12 vende kufizohet në kulm liria fetare.
Por “pa liri fetare në botë nuk mund të ketë demokraci”, theksohet në Raportin e Lëvizjes ‘Ndihmë për Kishën që vuan’, i cili merret me të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut, pavarësisht nga feja e viktimave, duke realizuar një panoramë globale të feve, që praktikohen në botë.

Ndërkaq në Uashington përgatitet samiti i jashtëzakoshëm, i thirrur nga presidenti i SHBA-së, Bush, që do të mbahet më 15 nëntor. Samiti mblidhet për të përballuar krizën e rëndë financiare, që ka pushtuar botën.
E ishte kjo krizë edhe në qendër të takimit të rangut të lartë mbajtur në Pekin, me përfaqësues të Azisë e të Evropës. Liderët evropianë përpiqen t’i bindin ata të vendeve emergjente të bashkojnë forcat për rithemelimin e sistemit ekonomik botëror.

E një thirrje qeverive që edhe në kushtet e krizës aktuale, t’i mbajnë zotimet e marra për zhvillimin, ua drejtoi pardje kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, duke hapur punimet e Ditës kushtuar krizës ekonomike, zhvillimit dhe sistemit tatimor, që u mbajt në mjediset e Dikasterit vatikanas, në Pallatin romak të Shën Kalistit.
Diskutuan një grup specialistësh të njohur. Në rend të ditës, ndikimi aktual i krizës ekonomiko-financiare mbi procesin e zhvillimit, në sa afrohet takimi i organizuar nga Kombet e Bashkuara, që do të mbahet në Doha- Katarr, nga 29 nëntori deri më 2 dhjetorin e ardhshëm.

E dje, si çdo vit, filloi Java për çarmatimin, themeluar më 1978 për të vënë në dukje rrezikun e garës së armatimeve dhe për të propaganduar nevojën e mospërhapjes së tyre. Në fjalimin e parë të Ditës Botërore për Paqen, më 2006, Benedikti XVI denoconte kënetën e indiferencës pothuajse të përgjithshme, në të cilën është zhytur procesi politik e juridik, që duhet të sigurojë çarmatimin.

Hyji ka një plan shëlbimi për njeriun, i cili është i thirrur ta pranojë, duke ecur në rrugën e Krishtit, qendër e jetës së çdo të krishteri, edhe pse ndonjëherë nuk pranohet. Ky është mësimi që u dha Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, 20 mijë shtegtarëve e besimtarëve të pranishëm. Katekizmi i Papës u frymëzua përsëri nga shkrimet e Shën Palit, në mënyrë të veçantë nga përmasa njerëzore e hyjnore e Krishtit, ashtu siç e lexojmë në shkrimet e Apostullit të Popujve.

Të martën e kaluar, pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit u paraqit vëllimi i parë i ‘Opera Omnia’ – Veprës së plotë të Papës. Me 16 vëllime, vepra do të përmbledhë gjithë prodhimin e Jozef Racinger, që nga vitet e Universitetit, deri në vitin 2005. Gjatë Konferencës së Shtypit u nënvizua posaçërisht se kjo nismë botuese nuk është thjeshtë katalogim i teksteve, por dëshmi jetike e teologjisë së Benediktit XVI.
Gjatë paraqitjes, folën imzot Gerhard Ludvig Myler, ipeshkëv i Regensburgut dhe don Gjuzepe Kosta, drejtor i Shtëpisë Botuese të Vatikanit.

Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Aleksej II, i dërgoi Papës një letër, e cila u botua në ‘L’Osservatore Romano’. Nënvizon vlerën e madhe që ka vijimi pozitiv i marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit ndërmjet Kishës katolike e Patriarkanës së Moskës. Letra e Aleksejt II është përgjigje e mesazhit autograf të Benediktit XVI dorëzuar Patrikut nga kryeipeshkvi i Napolit, Kreshencio Sepe, gjatë një vizite që bëri kohët e fundit në Moskë.







All the contents on this site are copyrighted ©.