2008-10-25 15:46:58

“Të krishterët e dëbuar”, editorial i Atë Federiko Lombardit.


(25.10.2008 RV)Sot drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, në reflektimin e funndjavës, vë në qëndër të vëmendjes të krishterët e dëbuar të Irakut e të Indisë, duke u bërë thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë të rikujtojnë një të vërtetë sa hyjnore, aq edhe njerëzore: “Në emër të Zotit nuk duhet vrarë as urryer, por duhet dashur e respektuar çdo njeri”.
RealAudioMP3 “Gjendja e të krishterëve në Irak – ashtu si ajo në zona të ndryshme të Indisë – është një rast i rëndë emergjence, që kërkon vëmendjen dhe solidaritetin e mbarë Kishës. Natyrisht i gjithë populli irakian, e jo vetëm bashkësitë e krishtera, po vuan pasojat e dhjetra viteve të regjimit shtypës, të luftës së mbrapshtë dhe të pështjellimit politik e shoqëror, që e pason, por bashkësitë e lashta të krishtera të vendit tani po i nënshtrohen një presioni sistematik, të bërë me qëllim, përmes një sërë aktesh dhune e kërcënimesh, që ndjekin njëri-tjetrin. Rasti i Mosulit javët e kaluara është bërë paradigmatik. Dokumentimi, i realizuar nga insitucionet humanitare dhe agjensitë e shtypit të pavarur, tregon se veprimtaria kërcënuese nga ana e grupeve islamike esktremiste zhvillohet rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, me përhapjen e trakteve, përmbatja e të cilave tingëllon si përçartje: “Zhdukuni nga shtëpia e nga qyteti brenda 24 orëve, në se nuk doni të merrni dënimin e merituar e të vriteni, sipas urdhërit që jep feja islamike, për ata që nderojnë kryqin”. Është e domosdoshme që grupet fanatike fondamentaliste të luftohen me vendosmëri. Duhet që të gjithë njerëzit e paqes, edhe në botën myslimane, t’i kundërvihen me forcë e kthjelltësi kësaj dhune të tmerrshme kundër të drejtave themelore të njeriut. Urojmë që nismat e dialogut me botën myslimane, në vazhdën e hapur nga Gjon Pali II e të vijuar nga Benedikti XVI, të kontribuojnë për të pohuar gjithnjë më vendosmërisht se në emër të Zotit nuk duhet vrarë as urryer, por duhet dashur e respektuar çdo njeri".







All the contents on this site are copyrighted ©.