Botohet lista përfundimtare e Propozimeve të Sinodit kushtuar Fjalës së Zotit.
(25.10.2008 RV)Ditë përfundimtare e sotmja, për Sinodin e ipeshkvijve kushtuar
Fjalës së Hyjit në jetën e në misionin e Kishës. Sot paradite, në Kongregacionin e
23-të të përgjithshëm, Etërit sidonalë miratuan 55 propozime përfundimtare. Dokumenti,
hartuar në gjuhën latine, iu dorëzua Atit të Shenjtë, i cili do ta përdorë për hartimin
e Këshillimeve pas-sinodale. Gjithsesi, Papa autorizoi botimin në gjuhën italiane
të bocës së përkohshme të propozimeve. Nesër, në orën 9. 30 në bazilikën e Shën
Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën Shenjte përfundimtare të Asamblesë
së XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit. Ndërmjet 55 propozimeve, vendin
kryesor e zë domosdoshmëria e përhapjes edhe inkulturimit të Biblës ndërmjet mbarë
popujve të tokës. Një detyrë kjo, për realizimin e së cilës mund të ndihmojnë fuqimisht
familjet, misionarët e mjetet e komunikimit shoqëror, pa harruar edhe përkthimet,
gjithnjë më të nevojshme, të Biblës, në gjuhët vendase. U ripohua lidhja e Fjalës
së Zoti me liturgjinë, rëndësia e homelive të frymëzuara nga Fjala hyjnore; u fol
për hartimin e një ‘Drejtuesi për homelitë’, që t’i ndihmojë predikatarët; për aktivizimin
e grave në katekizëm; për rëndësinë e Liturgjisë së orëve; për kapërcimin e dualizmit
ndërmjet ekzegjetëve e teologëve; për të rinjtë, meshtarët e baritorinë e shëndetit U
theksua posaçërisht se kumtimi i Lajmit të mirë është detyrë e gjithë të pagëzuarve,
ndërsa ripohohet lidhja ndërmjet Fjalës së Hyjit e Artit liturgjik, sidomos në kisha,
si dhe lidhja e Fjalës së Hyjit me kulturën, duke pasur parasysh se Fjala hyjnore
mund ta ndihmojë shumë shkencën në zbulimet e saj. Pastaj, Missio ad gentes – misioni
ndërmjet popujve, me pohimin se Kisha duhet të takohet me të gjithë e të vijojë të
mbrojë të drejtën e lirisë së njerëzve për të dëgjuar fjalën e Zotit, edhe me rrezikun
e persekutimit. Pastaj tema e dialogut me hebrenjtë, me myslimanët e me fetë e
tjera, dialog që duhet mbështetur mbi platformën e përbashkët të Biblës e duhet radhitur
në kontekstin e lirisë fetare e të respektimit të të drejtave të burrit e të gruas. Shumë
propozime edhe për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, duke falënderuar Patrikun
Ekumenik, Bartolomeun I për praninë e tij në Sinod, si dhe një thirrje për mbrojtjen
e gjithësisë.Propozimet përfundojnë duke ia besuar Virgjërës Mari rezultatet konkrete
të Sinodit.