2008-10-24 17:46:05

Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin për krizën financiare: kardinali Martino bën thirrje për më shumë solidaritet në tregjet e financave.


(24.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, duke hapur punimet e Ditës kushtuar krizës ekonomike, zhvillimit dhe sistemit tatimor, që po mbahet në mjediset e Dikasterit vatikanas, në Pallatin romak të Shën Kalistit, Kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, u bëri thirrje qeverive që, edhe në kushtet e krizës aktuale, t’i mbajnë zotimet që kanë marrë për zhvillimin.
Diskutuan një grup specialistësh të njohur, udhëhequr nga Oskar de Rojas, drejtor i Zyrës për financimin dhe zhvillimin, pranë Departamentit të OKB-së për çështjet ekonomike e shoqërore. Në rend të ditës, ndikimi aktual i krizës ekonomiko-financiare mbi procesin e zhvillimit, në sa afrohet takimi i organizuar nga Kombet e Bashkuara, që do të mbahet në Doha- Katarr, nga 29 nëntori deri më 2 dhjetorin e ardhshëm.
Shumë familje në botë mezi arrijnë të plotësojnë nevojat më të domosdoshme jetike e, sidomos, nuk e kanë kënaqësinë të jenë protagoniste të zhvillimit të tyre. E kjo – denoncoi kardinali Martino – ndodh 8 vjet pas Deklaratës së Mijëvjeçarit, nënshkruar në vitin 2000 nga shtetet anëtare të OKB-së dhe 6 vjet pas Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi financimin dhe zhvillimin, mbajtur në mars të vitit 2002, në Monterrei të Meksikës. “Janë gjithnjë më të shumtë njerëzit që detyrohen të emigrojnë, të shumtë ata që vijojnë të shtypen nën barrën e rëndë të varfërisë e të jetojnë në vende ku borxhi i jashtëm krijon pengesa serioze për sigurimin e shërbimeve të bazës, duke përfshirë këtu individin, familjen, bashkësinë, botën.
Nga ana tjetër – vijoi kardinali Renato Martino – kolapsi financiar i javëve të fundit na bëri të gjithëve ta kuptojmë thellë se i përkasim një njerëzimi të vetëm, tronditjet e të cilit kanë ndikim mbi shumë jetë e na bëjnë ta ndjejmë nevojën e bashkëpunimit në rrugën e përpjekjeve për mirëqenien e mbarë popujve. Këtë kardinali Martino e shpjegoi edhe në mikrofonin e Radios sonë:

“Të gjithë duhet të bashkëpunojmë për të mirën e të gjithëve. Ky është globalizimi: pasqyrimi i këtyre krizave mbi gjithë botën e pastaj nevoja që imponon solidaritetin edhe me vendet më të e vogla, më të varfëra. Pikërisht këtë po përpiqemi ta studiojmë këtu, e prandaj edhe kemi ftuar specialistët, ekonomistët, për të na ndihmuar ta kuptojmë thellësisht situatën aktuale, që pastaj Selia e Shenjtë të thotë fjalën e vet për zgjidhjen e kësaj krize”.

 
Është e domosdoshme, pra, të rimendohen rregullat e një ekonomie e të një finance, që kanë harruar se në qendër të interesave të tyre duhet të jetë njeriu dhe mirëqenia e mbarë njerëzimit:
 “Logjika e tregut deri tani ishte ajo e arritjes së kulmit të fitimit, prej këndej, investimet e mëdha, për fitime sa më të mëdha. E kjo, sipas doktrinës shoqërore të Kishës, është imorale, sepse tregu duhet të kontrollohet detyrimisht nga qeveritë e edhe nga vetë tregu, e prej tij duhet të përfitojnë jo vetëm ata që kanë kapital, por edhe ata që përpiqen për ta shtuar këtë kapital, pra ata që punojnë, ata që japin kontributin e tyre për rritjen e tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.