2008-10-24 17:45:31

Raporti për lirinë fetare: shkelje të rënda në më se 60 vende të ndryshme të botës


(23.10.2008 RV)RealAudioMP3 Janë më se 60 vendet, në të cilat regjistrohen shkelje të rënda të lirisë fetare. Këtë e mësojmë nga Raporti 2008 i Lëvizjes kishtare “Ndihmë për Kishën që vuan” , i cili u paraqit sot paradite në Romë. I përkthyer në gjashtë gjuhë të ndryshme, libri doli në të njëjtën kohë në Itali, Francë, Spanjë e Gjermani. Vendin e parë për shkeljen e së drejtës themelore të lirisë fetare e zë Azia, kontinent në të cilin në 12 vende kufizohet në kulm liria fetare.
Por “pa liri fetare në botë nuk mund të ketë demokraci”. Kështu u shpreh drejtuesi i Lëvizjes‘Ndihmë për Kishën që vuan’, Atë Joakin Aliende. Lëvizja - nënvizoi rregulltari – merret me të gjitha shkeljet e të drejatve të njeriut, pavarësisht nga feja e viktimave. Prandaj në Raport gjejmë një panoramë globale të botës e të feve, që praktikohen në botë. Në plan të parë theksohet situata në Irak ku, sipas saktësimit të gazetarit Kamil Eid, që nga fundi i shtatorit të kaluar më se dymijë familje të krishtera janë detyruar të braktisin Mosulin e të strehohen në Ninive, për shkak të persekutimeve .
Ndërkaq, me ligjin kundër blasfemisë, situata keqësohet edhe në Paksitan. Nën dritën e reflektorëve të mediave, kohët e fundit është edhe India, ku në shumë shtete vijon persekutimi i të krishterëve nga fondamentalistët hinduistë. Ky persekutim – sipas Atë Çervelerës – shfrytëzohet e subvencionohet nga njerëz që dëshirojnë t’i mbajnë popullsitë e këtyre viseve në gjendje skllavërie.
Vijon diskriminimi i disa feve në Kinë. Mjafton të mendohet për situatën në Tibet. Në raport nënvizohet se krishterimi është në rritje të vazhdueshme, me një shtesë prej 40 milion besimtarësh. Kujtojmë se në botën e sotme numërohen përafërsisht 1 miliard e 999 milionë e 838 mijë të krishterë, nga të cilët 1 milirad e 057milionë e 328 mijë e 093 katolikë e 1 miliard e 88 milionë e 789 mijë myslimanë, në mes të një popullsie botërore prej 6 miliard e 55 milionë banorësh.
Nuk ka ndryshime në Korenë e Veriut, ku shkelen rëndë të drejtat e budistëve e të të krishterëve. E vetmja rreze drite është një farë hapjeje për veprimtarinë e Kishës katolike si dhe për misionarët protestantë, që mund të hyjnë më lehtë në vend, përmes organizatave humanitare.
Për t’u shqetësuar edhe situata në Indonezi, ku kërcënimi më i madh është ai i terrorizmit - e në Nigeri, posaçërisht në shtetet ku është në fuqi ligji i Sharisë.
Po si është e mundur që bota të mos i kushtojë vëmendjen e duhur lirisë fetare, e cila është në bazë të të gjitha të drejtave të tjera e sidomos, si mund të mbrohet kjo liri? Pyetëm Elvira Ziton e zyrës së shtypit të “Ndihmë për Kishën që vuan”:

Përgjigje: - Sigurisht ka vëmendje të pamjaftueshme, sepse ndoshta kjo e drejtë është shikuar për shumë vjet si e dorës së dytë. E vetëm në vitet e fundit, edhe për shkak të situatave aktuale që vërehen në nivel botëror, po i kushtohet një vëmendje më e madhe kësaj teme. Ajo që mund të bëjë secili nga ne, është kryesisht ta njohë situatën. Këtë qëllim ka ky Raport. Veç kësaj ‘Ndihmë për Kishën që vuan’, lëvizje e cila prej 60 vjetësh realizon një numër të madh projektesh në ndihmë të Kishës së persekutuar, nuk mund të mos nënvizojë rëndësinë e ndërhyrjeve konkrete, në mënyrë që të krishterët e lirë, dmth ata që jetojnë në atmosferën e lirisë fetare, të japin ndihmesën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e atyre, që nuk e gëzojnë ose që u mohohet plotësisht kjo liri e kjo e drejtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.