2008-10-23 17:40:47

Liturgjia e Hyji në vend të parë. Këto janë temat që Benedikti XVI shqyrton në parathënien e 'Opera Omnia' së tij.


(23.10.2008 RV)RealAudioMP3 Rëndësia e liturgjisë, parësia që i takon Zotit, drejtimi i uratës gjatë kremtimit eukaristik janë disa nga temat mbi të cilat përqendrohet parathënia e vëllimit të parë të Opera Omnia-s, së Benediktit XVI, varg veprash që përmbledhin të gjitha shkrimet e papës që nga vitet e universitetit deri në 2005. Vëllimi i parë u paraqit dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit.
“Do të gëzohesha shumë nëse botimi i shkrimeve të mia liturgjike do të mund të ndihmonte për t’i bërë më të dukshme perspektivat e liturgjisë sonë, duke i zgjidhur përfundimisht ato telashet e vogla të formave të jashtme.” Këtë shkruan Papa në paraqitjen e vëllimit të parë të Opera Omnia që hapet me shkrimet e tija për Liturgjinë. Në parathënie, Benedikti XVI thotë se të fillosh nga Liturgjia, siç edhe u bë gjatë punimeve të Koncilit II Vatikanas, do të thotë të pohosh parësinë e Hyut. “Përpara së gjithash Hyu”. Në fakt “atje ku shikimi nga Zoti nuk është vendimtar, çdo gjë tjetër e humb orientimin e saj.” Siç pohon Rregulla benediktine: “asgjë nuk duhet të vijë përpara Veprës së Zotit”, përpara Eukaristisë.
Ati i Shenjtë rrëfen se fillimisht, për të mos ngjallur polemika, kishte menduar të hiqte nëntë faqe nga libri i tij me titull “Shpirti i Liturgjisë. Hyrje”, botuar në vitin 2000, e që është thelbi i vëllimit të parë. Fatkeqësisht, vuri ai në dukje, pothuajse të gjitha reçensionet përqëndrohen tek ato faqe që kanë të bëjnë me orientimin e lutjes në Liturgji, a thua se në Meshë meshtari “me shpinë nga populli” po futet edhe një herë. Por më pas ato faqe i kishte lënë duke menduar se qëllimi i tij kryesor është i qartë. Më pas Papa ka nisur të vërë re se po ecte këshilla e tij “për të mos ndryshuar strukturat por për të vendosur thjeshtë Krygjën në qendër të altarit, drejtë së cilës vështrojnë meshtari dhe besimtarët së bashku e që pastaj të gjithë të shkojmë drejt Jezusit duke u lutur.”
“Koncepti sipas të cilit meshtari dhe bashkësia duhet ta shohin njëri-tjetrin në sy gjatë lutjeve, shkruan Ati i Shenjtë, - u zhvillua vetëm gjatë epokës moderne dhe ka qenë krejt e huaj për të krishterët e parë. Në fakt meshtari dhe bashkësia nuk luteshin përballë njëri-tjetrit, por të drejtuar të gjithë nga Zoti. Për këtë arsye gjatë lutjes shikonin në të njëjtin drejtim: ose nga Lindja, si simbol kozmik i Zotit që do të vijë – ose atje ku nuk ishte e mundur drejtë një fugureje të Jezusit, në absidë, ose drejt Krygjës, ose thjeshtë vështronin të gjithë bashkë lart, siç pati bërë edhe Jezusi gjatë uratës së parë meshtarake në mbrëmjen para se të nisnin Mundimet e Tija.”
Më tej Ati i Shenjtë shpjegon se përtej këtyre “çështjeve shpeshherë pedante për këtë apo atë formë” synimi kryesor i kësaj vepre është që Liturgjia të vendoset “në hapsirën kozmike” që “rrok njëkohësisht si Krijimin ashtu edhe Historinë” në qendër të së cilës është Shpëtimtari, Jezu Krishti, drejtë të Cilit të gjithë drejtohemi me uratë.







All the contents on this site are copyrighted ©.