365 ditë: "Laboratorët e artit kishtar: artistët, kasnecë të misterit hyjnor".
(23.10.2008 RV)Të krijuar në vitin
1919 nga dy piktorë me famë, Moris Dënis e Zhorzh Devaljè, laboratorët e artit kishtar
përgatisnin artistë për stolisjen e kishave. Në këto shkolla jepeshin mësime pikture,
skulpture, qeramike e, sidomos, mësime mbi artin e realizimit të vetratave. Në Paris,
nën hijen e Kishës Shën Zhermen-dë– Prè, artistët jetonin gati si të ishin në familje,
duke i kushtuar vëmendje kryesisht përmasës fetare; prandaj luteshin gjithnjë, para
fillimit të punës, gjatë saj e në përfundim të ditës. Kur shtroheshin në sofër, nisnin
diskutimet për artin, për rolin e natyrën e tij. Ja disa copa prej këtyre bisedave,
mbledhur aty-këtu: “Ç’mendoni për artin kishtar?”. “Nuk e fsheh se më duket
ide interesante, por pak si e çuditshme. Interesante, sepse arti kishtar ekziston
vërtetë; kishat romanike e gotike e dëshmojnë këtë si s’ka më mirë. I çuditshëm, sepse
artistët mund të realizojnë vepra, që flasin mrekullisht për Hyjin, edhe kur nuk janë
besimtarë ose të krishterë. Më duket se Rembrandi nuk ishte besimtar i flaktë. Po
kështu edhe Leonardo e Mikelanxhelo. E pra krijuan vepra të përsosura arti kishtar,
ashtu si askush tjetër para e ndoshta, edhe pas tyre. “Unë besoj se artistët duhet
të kenë talent të veçantë e frymëzim të veçantë, për t’i mishëruar si duhet në art
fjalët e Jezusit. Ndërsa një artist mediokër, sado besimtar të jetë, nuk mund të bëjë
kurrë art të vërtetë kishtar”. “Kështu mund të themi se arti kishtar nuk është
vetëm pronë e besimtarëve!?”. “Sigurisht jo, sepse çdo njeri, në përgjithësi, është
i shenjtë. Nuk mund t’i ndajmë fenë mënjanë e jetën e përditshme në anën tjetër. Jemi
krijuar nga Hyji sipas shembëlltyrës së tij një herë të vetme. Eshtë pikërisht kjo
shembëlltyrë që ndjehet në krijimin e artistit të madh, në thellësinë e shpirtit të
tij hyjnor…”. “Atëherë mund të themi se ju nuk e shikoni artin kishtar, si lloj
më vete, është kështu, apo jo?” “Unë mendoj se ka një art që zgjedh tema fetare,
por edhe se shenjtëria duhet kërkuar në gjithë misterin e njeriut, të jetës, të Jezusit,
të Zotit. Këto janë misteret, që na i komunikojnë artistët e mëdhenj”. “Po e bukura?
Ç’mendoni për të bukurën?”. “Gjithçka është e bukur, e mirë dhe e drejtë, të afron
tek Zoti, ashtu si të largon gjithçka është e shëmtuar, e keqe dhe e shtrembër! E
tërë jeta jonë është një kryevepër arti!”.Laboratorët e artit kishtar realizuan, ndërmjet
tjerash, veprat artistike që zbukurojnë kishën pariziane të Shpirtit Shenjt. Por u
mbyllën me vdekjen e themeluesve të tyre. Mund të admirohen edhe sot e kësaj dite
shumë vepra të Moris Dënis në muzeun e kuvendit të Shën Zhermen-an-Lej pranë Parisit.
Është piktor i madh, talenti i të cilit të ndihmon për të perceptuar praninë plot
mirësi të Zotit.