Sot Kisha kremtoi festën e Shën Donatit të Fiezoles.
(22.10.2008 RV)Donati lindi në
Irlandë aty nga fundi i shekullit VIII në një familje fisnikësh të krishterë. I shtyrë
nga dëshira për t’u bërë i krishterë i përkryer, në vitin 816 u largua nga familja
e nga atdheu e nisi të shtegtojë në vise të ndryshme. Shkeli si shtegtar edhe në Romë.
Si e realizoi këtë dëshirë, mori rrugën e kthimit në atdhe e në shtëpinë atërore.
Por pikërisht në sa po kthehej, arriti në Fiezole kur populli po zgjidhte ipeshkvin
e ri. Çuditërisht fiezolanët zgjodhën shtegtarin e udhëve të largëta. Ishte viti 829.
Ai do të vijonte ta drejtonte dioqezën e Fiezoles për 40 vjet me radhë, deri në vdekje.
Qe njeri i letrave dhe ushtroi ndikim të fuqishëm mbi shkollën e ngritur në Firence
nga Lotari. Shkroi shumë vepra, nga të cilat arriti deri në ditët tona vetëm një epitaf
i shkruar për varrin e tij, shumë i çmuar për njoftimet autobiografike që përmban,
një besojmë poetike, të cilën ua pati lexuar miqve para se të vdiste, si dhe lavdet
për Shën Brigjidën, pajtore e Irlandës. Vdiq në Fiezole ndërmjet viteve 874- 877 e
u varros në katedralen e vjetër të qytetit, tek këmbët e kodrës, në kapelën kushtuar
Shën Romulit. Më 1817 u mbart në katedralen e re, të ngritur mbi kodër. Kisha fiezolane
e kremton më 22 tetor.