2008-10-22 18:19:07

365 ditë: "Tekla Merlo, predikatarja e Ungjillit me mjetet moderne të komunikimit".


(22.10.2008 RV)RealAudioMP3 Tereza nuk kalon pa u vërejtur. Është shtatlartë. Hollake. E shkathët. E ka dy sy të thellë, të zinj. Këtë ditë – e është data 27 qershor 1915 – ecën mendueshëm e ngutshëm, përkrah nënë Vinçencës. Nga Kastiljone, deri në Alba, nuk është shëtitje që bëhet lehtë e, sidomos, kur ecën në këmbë. Më në fund arrijnë në cakun e dëshiruar: në Kishën famullitare të Shenjtorëve Kozma e Damiani.
“Rri e më prit këtu, Terezë. E lutu! Unë po shkoj të flas me zotin Teolog”.
Pas pak minutash e ëma rikthehet. Duket e trazuar. “Shko”, i thotë, “Teologu dëshiron të bisedojë me ty”.
Me çap të lehtë, Tereza zhduket pas një porte. E ëma e pret, e pushtuar nga shqetësimi, që bëhet ankth.
Por më në fund vajza kthehet: me të njëjtin çap të lehtë, të njëjtën sjellje dinjitoze, por këtë herë, me një dritë të re në sy, me një buzëqeshje rrezatuese në buzët e njoma. Nënë Vinçenca nuk mund të kënaqet më vetëm me buzagazin e së bijës. Dëshiron të dijë më shumë e prandaj nis ta pyesë pa e zgjatur “Hë, ç’të tha Teologu?”.
“Më ftoi të bashkëpunoj në veprën e tij. Tha se gruan nuk e pengon asgjë t’i kushtohet apostullimit”.
“ E ti, ç’hyn ti këtu? Ç’mund të bësh ti?”.
“Asgjë, vetëm të bëj ç’të më thotë ai”.
Ai, “Teologu”, është i riu Xhakomo Alberioni, atë shpirtëror i Seminarit të Albës, fshat në Langet kuneze, e drejtor dioqezan i gazetës së Albës. Sapo ka nisur një veprimtari të jashtëzakonshme, që synon ta kumtojë Ungjillin me një ‘shtyp të mirë’ e me të gjitha mjetet e reja komunikimit, që do të sigurojë progresi në këtë fushë.
Tereza, që më pas u bë Motër Tekla - do të ishte bashkëthemeluese e Bijave të Shën Palit, një nga Institutet e Familjes Paoline, që lindën nga frymëzimi i don Alberionit.
Me dijen që vjen nga lart, ajo nisi të drejtojë, pa pikën e ngurrimit e të frikës, mjetet e komunikimit modern. Vijoi pastaj veprimtarinë, duke u marrë me formimin e rregulltareve të reja, që iu besuan: i bëri shkrimtare, redaktore, specialiste bibliotekash, drejtuese librarish. E i dërgoi si ‘postiere’ të Zotit nëpër botë. Kur vdiq - më 5 shkurt 1964 - paolinet kishin arritur në 24 kombe të ndryshme të botës, në të pesë kontinentet.







All the contents on this site are copyrighted ©.