Në Bruksel, filluan punimet e Konferencës kristiano-myslimane
(21.10.2008 RV)Filluan dje në Malines-Bruksel, punimet e Konferencës kristiano-myslimane
me temë “Të jesh qytetar evropian e besimtar: të krishterët e myslimanët si partnerë
aktivë në shoqëritë evropiane”, organizuar nga Komiteti i Këshillit të Konferencave
Episkopale Evropiane (CCEE) dhe i Konferencave të Kishave Evropiane (KEK) për marrëdhëniet
me myslimanët në Evropë. Takimi, me karakter studimi, dëgjimi e njohjeje, ka për
qëllim thellimin e kuptimit të qytetarisë e të praktikimit të lirë të fesë në kontekstin
evropian, mbi bazën e Kushtetutave e të Konventave lidhur me të drejtat e njeriut,
duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë praktikimit personal e komunitar të bindjeve
fetare e të traditave kulturore. Synimi përfundimtar i sesioneve plenare e i punimeve
në grupe, është të kërkohen rrugë konkrete bashkëpunimi ndërmjet të krishterëve e
myslimanëve në shoqëritë përkatëse, duke i kapërcyer konfliktet e tensionet e së kaluarës
e të së sotmes, për ndërtimin e bazave të shëndosha të besimit reciprok. Katër
janë temat kryesore, që po diskutohen: roli i feve në shoqërinë shekullare; fetë ndërmjet
institucioneve e besimit personal; mirëkuptimi reciprok ndërmjet të krishterëve e
myslimanëve; roli i edukimit në këtë mirëkuptim dhe përgjigja që duhet t’i japin fetë
ekstremizmit dhe fondamentalizmit. Reflektimi mbi këto probleme themelore ka për
qëllim të kontribuojë në zhvillimin e identitetit evropian, të bazuar mbi tolerancën
reciproke fetare e mbi pluralizmin kulturor, e jo më pak, të edukojë vetëdijen e pergjegjësisë
morale që ka secili për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, paqen, drejtësinë e pasuritë
e përbashkëta të gjithësisë. Sot, në Kapelën e Krishtit të Ngjallur, në Bruksel,
u mbajt një takim publik me temë “Evropa e feja”, në të cilin ishte i pranishëm edhe
Komisari Evropian, Ján Figel, përgjegjës për Arsimin, Kulturën e Rininë. Në Vitin
Evropian kushtuar Dialogut Ndërkulturor, Konferenca e Malines dëshiron të vërë në
dukje aftësinë dhe vullnetin e myslimanëve e të krishterëve që të bashkëpunojnë për
të mirën e shoqërive civile evropiane, për integrimin e për dialogun ndërmjet qytetarëve
të të gjitha traditave fetare e kulturore.