2008-10-21 15:46:38

Kongregacioni i përgjithshëm i 20-të i Sinodit të Ipeshkvijve


(21.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot në Vatikan u mbajt kongregacioni i përgjithshëm i 20-të i Sinodit të Ipeshkvijve, në të cilën mori pjesë edhe Benedikti XVI. Gjatë punimeve u paraqit edhe lista e vetme e Propozimeve përfundimtare. Bëhet fjalë për një dokument mbi punimet e Sinodit ende të përkohshëm, në latinisht, që pastaj do të plotësohet dhe do të hidhet në votë të shtunën e ardhshme. Leximi i 53 Propozimeve përfundimtare u bë njëherësh nga kard. Mark Uje, relator i përgjithshëm dhe imzot Loren Monsengo Pazinia, sekretar i posaçëm i Sinodit.
Duke u nisur nga të mirat e mëdha, qoftë teologjike qoftë baritore që burojnë nga sa thuhet në kushtetutën dogmatike ‘Dei Verbum’ mbi ‘Dëftimin Hyjnor’, etërit sinodal shprehën para së gjithash urimin që besimtarët të rriten të vetëdijshëm për Fjalën e Hyut, për forcën e saj shpëtimtare, por edhe që Kisha ta përforcojë thirrjen e saj misionare.
Por si duhet vepruar që të arrihen këto? Lista e vetme e Propozimeve këshillon që të vështrohet pajtimi që sjell Fjala Hyjnore. Në raste konfliktesh etnike dhe tensionesh ndërfetare, pra, kërkohet impenjimi i katolikëve në ndërtimin e urave të dialogut për të ndërtuar një shoqëri më të harmonishme. Nga ky këndvështrim, është e rëndësishme, u tha gjatë mbledhjes që çdo besimtar të ketë Biblën vetjake.
Më pas vjen liturgjia. Sinodi kërkoi që Shkrimi Shenjtë të ketë një vend të dukshëm nëpër Kisha dhe që roli i lexuesve të studiohet dhe të thellohet, pse jo edhe duke marrë parasysh teknikat e reja të komunikimit dhe përdorimin e qendrave të zërit.
Një rëndësi të madhe i jepet në dokument homelive që grishin për mision, homeli këto të përgatitura me uratë dhe të ushqyera nga doktrina. Është i mundur pra edhe themelimi i një drejtorie për homelitë.
Gjithashtu te këto Propozime një vend të dukshëm zë edhe Lectio Divina, që duhet nxitur nëpër famulli, nëpër familje, nëpër lëvizjet e ndryshme kishtare për formimin e meshtarëve të ardhshëm, e të katekizmit. Kjo në mënyrë që formimi i të pagëzuarve të jetë i vazhdueshëm e të mos reduktohet vetëm në dhënien e sakramenteve.
Pastaj duke vijuar, sa tha Ati i Shenjtë Bendikti XVI me 14 tetor në aulën e punimeve, një vëmendje e madhe i kushtohet në këtë dokument edhe ekzegjezës biblike dhe nevojës për të kapërcyer dualizmin ndërmjet ekzegjezës dhe teologjisë.
Në fund pastaj edhe dy tema të tjera jo më pak të rëndësishme: ajo e misioneve për të varfërit dhe pastaj dialogu me hebrenjtë.
Propozimet u mbyllën me dy falenderime. I pari për ata që kumtojnë Fjalën Hyjnore në kushte të vështira, dhe i dyti për Patrikun ortodoks ekumenik Bartelomeu I, i cili mori pjesë në lutjet e mbrëmësores të së shtunës së kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.