2008-10-20 15:36:51

Rubrika 365 ditë: "Benedikti XV, ambasador i Zotit bën thirrje për paqe!".


(20.10.2008 RV)RealAudioMP3 Jemi në vitin 1918.
“Nuk mund ta duroj më këtë luftë! Uroj të marrë fund sa më shpejt, duke shpresuar se do të jetë e fundmja!”.
“Sot vdiqën qindra shokë, të gjithë tanët, pa llogaritur palën tjetër…”.
Dy ushtarë të rinj, të njollosur me baltë nga këmbët deri tek koka, përgatitën të kalojnë një natë tjetër të vështirë në llogore, në një skaj të përbaltur të këtyre korridoreve të nëndheshme, gërmuar për t’u mbrojtur nga mitrolozat e armikut.
“Ka tri vjet që po jetojmë si urithat në këto llogore të mallkuara. E çdo ditë përsëritet e njëjta gjë: dalim nga këto vrima në të njëjtin çast me gjermanët, për të mbytur njëri-tjetrin. Unë nuk mund të duroj më. Më ka ardhur në maje të hundës, Viktor”.
“Pse mua jo?! Enrik, as unë nuk mundem më. Herën e fundit që u ktheva në shtëpi për të takuar të mitë, u neverita fare. Gazetat tona bukuroshe të flasin për shkaqet e luftës, që na paska plasur për arsye nga më fisniket. Vetëm ne e dimë ç’do të thotë luftë: është kasaphanë, asgjë tjetër”.
“Po s’po del kush t’ia përplasë në surrat këtë të vërtetë Evropës! Të gjitha qeveritë duan ta vazhdojnë luftën deri në fund. Se ç’kuptim ka kjo fjala fund, edhe këtë e dimë mirë vetëm ne, që vdesim pa lavdi në këto biruca të qelbura”.
“Vetëm Papa larton zërin, për të kërkuar paqe!”.
“Ashtu?”.
“Po, sigurisht, pse nuk e dije ti këtë? Benedikti XV u bë Papë pikërisht në fillim të luftës. E menjëherë shkroi një tekst drejtuar qeverive, duke iu lutur ta ndalonin këtë marrëzi shkatrrimtare. Që atëherë nuk ka pushuar kurrë së punuari për paqen. Vetëm se qeveritë duan ta mbysin zërin e tij të fuqishëm. Madje thonë se Papa është tradhtar: ç’marrëzi! Nuk tradhton asnjë vend, nuk i përket as Italisë, as Francës, as Gjermanisë, as Austrisë e as Anglisë. Është Papë, Atë i të gjithëve, e vuan duke i parë të krishterët të kacafytur për vdekje ndërmjet tyre”.
“Mrekulli, por përveç moralit e lutjes, ç’bën tjetër, për t’i dhënë fund këtij tmerri?”.
“Nuk kufizohet vetëm me lutjet, që janë gjëja më e rëndësishme. U dërgon qeverive të ndryshme edhe ambasadorë! Kohët e fundit, e pikërisht më 1 gusht, propozoi një marrëveshje ndërkombëtare. Duket se është fjala për një tekst shumë konkret e se shtetet e ndryshme po e diskutojnë. Në se do ta pranojnë të gjithë, do të nënshkruhet paqja”.
“Nuk e besoj se do ta nënshkruajnë”.
“As unë!”.
Viktori e Enriku kanë të drejtë: qeveritë nuk e pranojnë as këtë herë propozimin e Papës. Duhet pritur akoma muaj e muaj. Lufta do të përfundojë vetëm në vitin 1918. Por, siç pohon Enriku, duke u mbështjellë me mantelin e tij, në sa përgatitet për të fjetur:
“Benedikti XV ka arsye t’i provojë të gjitha mënyrat e të gjitha rrugët për t’i rikthyer paqen njerëzimit. Në fund të fundit, Papa është ambasadori i Zotit. E Zoti sigurisht qan, kur shikon ç’i bëjnë njerëzit njëri-tjetrit!”.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.