2008-10-20 18:10:06

Papa në Pompei: kjo qytezë e Marisë dhe e dashurisë së krishterë dëshmon se feja e shndërron botën.


(20.10.2008 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI ia beson Kishën dhe mbarë botën Zojës Rruzare të Pompeit, duke menduar, në radhë të parë, për Sinodin e Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit, për familjet e, në Ditën Misionare Botërore, që kremtohej dje, për të gjithë ata që kumtojnë Ungjillin në rrugët e pafundme të botës.
Si arriti me helikopter nga Vatikani rreth orës 10. 00, Papa u prit nga 50 mijë besimtarë në festë, për vizitën e tretë të një Pasardhësi të Shën Pjetrit në qytetin e themeluar nga i Lumi Bartolo Longo. Menjëherë pas arritjes, kremtoi Meshën në Sheshin para Shenjtërores së Zojës Rruzare, në një ditë të ngrohtë vjeshte, plot diell e kaltërsi.

Kështu Benedikti XVI vijon shtegtimin marian nëpër botë: pas Shenjtëroreve të Lurdës, Loretos, Çestokovës, Aparesidës e Efezit, shkoi në Pompei për të nderuar Virgjërën Mari, Mretëreshën e Rruzares Shenjte. Në fjalimin e mirëseardhjes, kryeipeshkvi-prelat, Karlo Liberati, i numëroi Papës veprat e lindura falë dashurisë së një laiku për Marinë: shkolla, konvikte e strehë për jetimët, për bijtë e të burgosurve, për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të varfërit, të droguarit, të alkoolizuarit, gratë në kushte të vështira, emigrantët. Por askush nuk mund të krenohet – vijoi – sepse forca jonë është Rruzarja.
Kryetari i bashkisë, Klaudio D’ Alesio, në përshëndetjen e tij, foli për banorët e Italisë së Jugut, duke nënvizuar: “Jetojmë në një tokë shpesh herë të martirizuar – por gjithnjë të bukur e të pasur me bamirësi’. Papa ia besoi të gjithë Marisë, duke menduar posaçërisht për njerëzit që vuajnë e për ata që braktisen në fatin e tyre, në dramat e tragjeditë e tyre të vetmisë e të mjerimit. I nxiti të mos e humbasin kurrë shpresën, por të kërkojnë gjithnjë ndihmën amtare të Marisë. Ungjilli është me të vërtetë Lajmi i mirë, sepse na kumton se Hyji është me ne e vjen të na çlirojë: “Ku është Ai, e keqja mposhtet e ngadhënjejnë jeta e paqja”. E gjithçka rinohet nga fryma e dashurisë së Tij:

“Po, dashuria e Hyjit e ka këtë pushtet: të rinojë çdo gjë, duke nisur nga zemra njerëzore, që është kryevepra e Tij, ku Shpirti Shenjt e kryen më mirë veprimtarinë shndërruese. Me hirin e vet, Hyji e rinon zemrën e njeriut, duke ia falur mëkatin, e pajton e ndikon në shpirtin e tij zellin për të bërë mirë”.

Sigurisht – vijoi Papa – duhet të përtërihemi vazhdimisht, për të mos rënë në konformizmin e mendësisë moderne. Dashuria duhet të jetë programi i përhershëm i bashkësië së krishterë. E ‘Pompei i ri’, ndonëse me kufizimet e veta, si çdo realitet njerëzor, është shembull i këtij qytetërimi të ri të dashurisë, lindur e zhvilluar nën shikimin e ngrohtë amëtar të Marisë:

Qytezë e Marisë dhe e dashurisë së krishterë, por jo e izoluar nga bota, jo, siç mund të thuhet, një ‘katedrale në shkretëtirë’, por e lidhur ngushtë me trojet e kësaj lugine, për ta shpëtuar e për ta zhvilluar. Historia e Kishës, faleminderit Zotit, është e pasur me përvoja të këtij tipi, që edhe sot e kësaj dite i takojmë në të katër anët e botës. Janë përvoja vëllazërimi, që tregojnë fytyrën e një shoqërie të ndryshme, e cila është tharm i vërtetë në gjirin e jetës civile. Forca e dashurisë së krishterë është e pakundërshtueshme: është dashuria që e çon përpara botën”.
 
Papa kujtoi edhe historinë e Pompeit: qytet i rrënuar nga shpërthimi vullkanik shkatrrimtar, që u rikthye në jetë falë kthimit në fenë e krishterë të një burri i cili, ashtu si Shën Pali, e kishte persekutuar Kishën, duke u bërë militant antiklerikal e duke u dhënë edhe pas praktikave spiritistike e bestytnive. Është fjala për prirje – vijoi Papa – të pranishme edhe në ditët tona. Një njeri larg fesë, që ndryshon rrënjësisht. E ky ndryshim, sepse shikon ‘fytyrën e vërtetë të Hyjit’, që ia shndërron shkretëtirën në të cilën jeton:

Ku arrin Hyji, shkretëtira lulëzon! Edhe i Lumi Bartolo Longo, me kthimin e tij personal, jep dëshmi të kësaj force shpirtërore, që e shndërron shpirtin e njeriut dhe e bën të aftë të kryejë vepra të mëdha, sipas planit të Hyjit”.

 
Ky qytet, i rithemeluar prej tij – shtoi Papa – është dëshmi historike, që u tregon të gjithëve si e shndërron Zoti botën: duke e mbushur me dashuri zemrën e njeriut e duke e bërë forcë lëvizëse të risimit fetar e shoqëror, në shërbim të fundmëve.

“Këtu, në Pompei, kuptohet se dashuria e Hyjit e dashuria për të afërmin janë të pandashme. Këtu populli i thjeshtë i krishterë, njeriu që e përballon jetën me flijime të mëdha, gjen forcën të vijojë ecjen në rrugën e së mirës, pa bërë kurrë kompromise. Këtu, në këmbët e Marisë, familjet rigjejnë e rifreskojnë gëzimin e dashurisë, që i mba të bashkuara”.

 
E fshehta e Pompeit është Rruzarja. Kjo Lutje – pohoi Benedikti XVI – na prin, përmes Marisë, tek Jezusi:

“Rruzarja është lutje kundruese, e kuptueshme për të gjithë: të mëdhenj e të vegjël, laikë e klerikë, të mësuar e të pamësuar. Është lidhje shpirtërore me Marinë, për të qenë gjithnjë të bashkuar me Jezusin, për t’u bërë një me Të, për të bërë tonat ndjenjat e Tij e për t’u sjellë si Ai. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në luftën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen e zemrave, në familje, në shoqëri e në botë”.

 
Në përfundim të Meshës, Papa i priu Lutjes drejtuar Zojës Rruzare, shkruar nga Bartolo Longo në vitin 1883; një lutje prekëse, lartuar Nënës që Krishti na e dhuroi mbi kryq, që të nxirrte hirin e mëshirës për të gjithë. Më pas Papa i dhuroi Zojës Rruzare një trëndafil të artë.







All the contents on this site are copyrighted ©.