2008-10-20 15:31:46

Lutja e Kishës së Pompeit që i drejtohet Virgjërës Mari


(20.10.2008 RV)Çdo vit, më 8 maj, mijëra besimtarë mblidhen në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Pompeit. Sipas traditës, në mesditë kremtohet lutja e shkruar në vitin 1883 nga themeluesi i Shenjtërores, i Lumi Bartolomeo Longo.
Kjo lutje, nga më të bukurat që i drejtohen Virgjërës Mari në Kishën katolike, është tepër e njohur. Lindi, para së gjithash, nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri, pati në një nga rrugët fshatarake të Pompeit, si ishte kthyer në rrugën e Zotit, pas një periudhe të shkurtër hutimesh rinore. Zoja i tha se duhet t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit 1872, Bartolomeo Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës. Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976.
Këtë Festë dhe lutjen e saj tradicionale, Bartolo Longo e quajti ‘Ora e botës’, sepse bashkon mbarë botën në një lutje korale.
Lutja, e kremtuar pranë rrënojave të Pompeit, duket sikur i bën të flasin, të qortojnë, të kujtojnë se fati i njeriut është i pasigurtë; siguria mund të gjindet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzraja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të luftës.
Në sfondin e rrënojave të lashta, Lutja e djeshme e Kishës së Pompeit, në praninë e Papës Benedikti XVI, merr vlerë simbolike; flet për një hov të ri të kumtimit të krishterë në kohët tona:
 
O Zot, Atë i mirë e i mëshirshëm,
ti që në Birin tënd Jezusin, i dhurove botës
Fjalën tënde të shëlbimit,
pranoje lutjen tonë
për Atin e Shenjtë Benediktin XVI
që e kemi sot mes nesh, shtegtar në Pompei.
Jepi shenjtëri e shëndet
e dëgjoja lutjen që i drejton sot,
Nënës sate Hyjnore,
Zojës Rruzare,
që të ndërmjetësojë për bijtë e tu!
Bëj që të gjithë nxënësit e birit tënd, Jezusit,
ta zbulojnë gëzimin dhe entuziazmim e Fjalës sate
e praninë e Tij në misionin e në jetën e Kishës.
Bëji bashkëshortët e krishterë gjithnjë më të vetëdijshëm
për misionin e tyre edukativ,
mision dashurie e jete.
Bekoje Kishën tonë të Pompeit
gurrë e përshpirtërisë së Rruzares;
ndihmoje ta jetojë me devocion
karizmën e të Lumit Bartolo Longo,
e të dijë ta mishërojë në kohët tona.
Bëj që, duke ecur në gjurmët e tij,
të gjithë të kundrojnë, përmes Rruzares,
Fytyrën e Krishtit Zot.
Virgjëra Mari, që e jetoi si moskush
takimin me Fjalën tënde
na mësoftë të jemi gjithnjë të gatshëm
e zemërhapur për Shpirtin Shenjt,
për ta dëgjuar e për ta kumtuar Birin e saj, Jezusin
për të jetuar si miq të ngushtë të Tij.
Zoja Rruzare na priftë e na ndihmoftë ta bëjmë qytetin tonë
shkollë të lutjes, laborator të drejtësisë, lulishte të paqes,
shtëpi mikpritëse për fëmijët pa nëna e nënat pa strehë,
oazë shprese për breznitë e reja,
ku fryn flladi i dashurisë përdëllyese
e i miqësisë me Birin tënd, Jezusin:
Udhën, të Vërtetën, Jetën;
të vetmen shpresë për shëlbimin e botës.Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.