2008-10-19 18:41:21

5-vjetori i lumnimit të Nënë Terezës: Festë kombëtare e mbarë shqiptarëve


(19.10.2008 RV)Sot kalendari kishtar përkujton 5-vjetorin e lartimit në nderimet e elterit të së Lumes Nënë Terezë, misionares së madhe të Indisë e të mbarë botës.

19 tetor 2003 – 19 tetor 2008: kaluan pesë vjet nga dita e lumnimit të Nënë Terezës, Bijës më të madhe të popullit shqiptar, që na la trashëgim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme: "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".

 
Nuk na çudit, prandaj, fakti se, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit pa u mbushur ende dy vjet pas vdekjes së Rregulltares shqiptare. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj, ndërsa më 19 tetor 2003, pesë vjet më parë, nga Sheshi i Shën Pjetrit përplot me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, shqiptoi formulën që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës në nderimet e eletrit:

FORMULA E LUMNIMIT - shqiptuar nga Papa Gjon Pali II:
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas regullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.

 
Sot, pra, nuk është festa liturgjike e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli.
Në përfundim të këtij përkujtimi, bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumnimit të saj:

“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e së Lumes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.