2008-10-18 13:14:14

365 ditë: "Nëna Kabrini, misionarja e shenjtë".


(17.10.2008 RV)“Një ditë do të bëhem misionare, e s’ka pikë rëndësie në se të tjerët mendojnë se jam tepër e brishtë!”.
Françeska Kabrini, një vashë lombarde, ia bën këtë premtim vetes, ndërsa i jati i lexon tregime për misionet, në skajin tjetër të botës. Disa vjet më vonë Françeska troket në portat e disa bashkësive fetare. “Je tepër shëndetligë për jetë rregulltare!”, i përgjigjen, duke ia mbyllur sakaq portën. Por vajza është tepër kokëshkretë. Nuk heq e nuk heq dorë nga e saja. Dëshiron të bëhet rregulltare e bëhet, pavarësisht nga të gjitha pengesat. Madje bën diçka më shumë: themelon një udhër misionar femëror: Motrat Misionare të Zemrës së Krishtit. Nënë Kabrini ëndërron të ungjillëzojë Kinën, së bashku me motrat e veta të reja. Por Papa Leoni XIII dëshiron që ajo të niset në Perëndim, e pikërisht në SHBA. Mijëra italianë, që mërgojnë në këto troje, rrezikohen ta humbasin fenë për mungesë shërbimi shpirtëror.
Rregulltarja niset menjëherë, së bashku me disa motra të tjera. Kapërcen Atlantikun e arrin në Nju Jork. Në se Zoti e do atje, s’ka gjë në botë që mund ta bëjë të ndërrojë mendim. As ipeshkvi, i cili sapo arrin, e këshillon të rikthehet në Itali me të njëjtën anije, që e ka sjellë deri aty. “Detyrë tepër e rëndë për juve!”, i thotë. Edhe ai gënjehet nga pamja imcake e rregulltares dhe beson se jeta në këto vise të largëta do ta thyejë vullnetin e saj. Nuk e di se motra trupin e ka të brishtë vërtetë, por vullnetin, të çeliktë. Gjithsesi shumë shpejt do të bindet për këtë. Nënë Kabrini i përgjigjet njerëzisht, por me një vendosmëri të pathyeshme: nuk do ta dëgjojë këshillin e tij. Do s’do, ajo ka ardhur aty e aty do të rrijë...
Gruaja, për të cilën të gjithë mendonin se ishte tepër delikate, kryen në Amerikë një punë të jashtëzakonshme. Në geton njujorkeze, ku jetonin italianët, ngrihet më parë një shkollë e, më pas, një jetimore. Duke vijuar veprimtarinë, Nënë Kabrini ndërton spitale, kuvende, shkolla, jetimore të tjera, kurse katekizmi për të rriturit. Viziton mërgimtarët në kolibat e tyre e lyp lëmoshë për ta. Vullneti e guximi i kësaj gruaje kaq imcake, të lënë pa mend. Në vitin 1908 merr nënshtetësinë amerikane. Po Nënë Kabrinit nuk i mjafton Amerika: do të pushtojë mbarë botën, që të gjithë njerëzit ta njohin dashurinë e pakufishme të Krishtit, ashtu si e njeh ajo. Pasi jeton disa vjet në Nju Jork, niset për në Amerikën e Jugut, ku kongregata e motrave të saj njeh një lulëzim të pashoq. Deri në vdekje, më 1917, Nënë Kabrini krijon gjashtëdhjetë e tri shtëpi të reja e ndihmon mijëra njerëz nevojtarë. Vajza e brishtë e dikurshme merr forcë nga dashuria e saj e pakufishme për Krishtin, të cilit ia kushton gjithë jetën. Prandaj, më 1947, Papa Piu XII e shpall shenjtore.







All the contents on this site are copyrighted ©.