2008-10-16 17:06:13

Si sot, para tridhjetë vjetësh Gjon Pali II zgjidhej Papë.


(16.10.2008 RV)Viti 1978, i njohur edhe si viti i tre papëve do të arrinte në kulmin e vet më 16 tetor me zgjedhjen e Gjon Palit II. Në të gjithë botën kjo ngjarje u përkujtua me kremtime. Kurse në Vatikan, sot pasdite në orën 17.30 në aulën Pali VI, Benedikti XVI mori pjesë në shfaqjen e filmit “Dëshmia” mbështetur në librin “Një jetë me Karolin” të kardinalit kryeipeshkëv të Krakovisë Stanislau Gjivish, dhe të shkrimtarit Xhan Franko Sviderkovski.
Vetë kardinali Gjivish, për 27 vjet sekretar i Papës Vojtila- e kryesoi sot paradite në orën 11.00 një Meshë përkujtimore në bazilikën e Shën Pjetrit. Është thënë e përsëritur shpesh se ç’cilësi njerëzore dhe shpirtërore e bënë të dashur dhe të paharrueshëm papën polak nëpër botë. Por tematikat që mbrujtën magjisterin e tij mund të gjinden qysh në fillim të papnisë së tij. Një magjister i mbushur me dashuri kundrejt Kishës dhe njeriut, e i shoqëruar – veçanërisht në fillim – nga aftësitë komunikuese të jashtëzakonshme. Le të ndjekim një shërbim që reflekton mbi këto aspekte:
Na la kur ishte kapur fort pas kryqit të sëmundjes së tij dhe me një heshtje të zgavërruar nga çdo mundësi komunikimi. Por ka patur një kohë kur zëri i tij jehonte me vendosmëri për të kumtuar fytyrën e Krishtit dhe për të denoncuar fytyrat e së keqes – një zë prej baritoni, i aftë për masa o tonalitet, miqësor o i rëndë. E ka patur edhe një hapësirë që humanizmi i tij e zotëroi krejtësisht, sepse mënyra e tij për të kuptuar misionin e vet përputhej me “kufijtë e botës”. Gjon Pali II u shua si një flakë e vogël me 2 prill, para tri vjetësh, por njerëzit në Shën Pjetër apo përpara televizorit në 16 tetorin e para 30 vjetëve patën mundësi të shijojnë zjarrin që do të shënjonte papninë e tij të gjatë.
Një zjarr zëri dhe idesh, tonalitetesh dhe vlerash, kujtimi i të cilave ka prirje të mjegullohet në kujtesë e të zëvendësohet nga kujtime më të vonshme, më të vuajtura, më të flashkëta. Ndërsa ne duam ta kujtojmë Karol Vojtiuën në muajt e parë në Katedrën e Shën Pjetrit, duke e ndjekur në rrjedhën e zakonshme që karakterizonte ditën e Papës, në takimet e tij me njerëzit, në mësimin e tij të Ungjillit për çdo lloj kategorie njerëzish, duke dëgjuar disa copëza të fjalimeve të tija më të zakonshme e për këtë arsye edhe të lëna mënjanë nga retrospektivat biografike tashmë të njohura –e shpesh disi përsëritëse – që kanë të bëjnë me të.
Ishte Papë që prej tre muajsh e s’do të kalonte shumë e duke shkuar në Meksikë e në Puebla do të linte në kronikat e Kishës dhe të botës, shenjën e tij të parë të fortë të cilësive të tija apostolike. Qysh në sallën e aeroportit të Fiumiçinos, përpara nisjes, Gjon Pali II, duke folur me gazetarët, tregon se e ka të qartë vizionin e tij për rrethanat historike. Lufta e ftohtë ishte ende larg varrosjes së saj nën rrënojat e Murit të Berlinit dhe planeti i ndarë në dy blloqe lëkundej ndërmjet frikës dhe mosbesimit. E prapëseprapë Papa i ri e di se ka një vlerë më të madhe sesa ideologjitë apo leverditë ekonomike tek e cila mund të mbështetet, - siç edhe bëri, - ai që e ka vërtetë për zemër të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Ishte 25 janari i viti 1979:“Sigurisht, situata e përgjithshme e botës së sotme, e kontinenteve të ndryshme, e sistemeve të ndryshme, nuk është një situatë e e thjeshtë, por mjaft e ndërlikuar. Nga ana tjetër do të doja të isha optimist, sepse ajo çka është e mirë tek mendja dhe tek zemra e njeriut mund të fitojë. Është detyrë e Kishës, është detyrë e imja, të ndihmojë atë që është e mirë në mendjen njerëzore, në zemrën njerëzore, për të fituar mbi të keqen.”
Ndërsa fjala që mbajti në Pueble qe si një bubullimë. Por që përpara e pas Krishtlindjes së vitit 1978, Papa i kishte mëshuar edhe temave të tjera qendrore të magjisterit të tij që do të vërtitej rreth “qenies njerëzore.” duke filluar që nga njeriu i palindur e prandaj edhe i paaftë të mbrohet ndaj abuzimeve. Ja sesi u drejtohej atyre që në repartet e një spitali përpiqen të ndërthurin besimin me profesionalizmin:
“Shërbimi ndaj jetës duhet t’i gjejë të impenjuar, me entuziazëm të bollshëm, mbi të gjithë mjekët katolikë, të cilët në besimin e tyre në Zotin krijues, pasqyrë e të Cilit është njeriu, dhe në misterin e Fjalës së Amshuar të zbritur nga qielli te trupi i brishtë i një foshnjeje të pambrojtur, gjejnë një arsye të re e më të lartë për përkushtim të zellshëm, për përkujdesje e për tutelë të painteres për çdo vëlla, veçanërisht nëse është më i vogël, i varfër, i paaftë e i kërcënuar.”
Kjo ishte masa e besimit të Papës “që kishte ardhur nga larg”. Një njeri dhe një meshtar mësuar në vendin e tij të mbrojë duke luftuar ato vlera që të krishterët nga kjo anë e Murit të Berlinit përjetonin me një natyrshmëri shpeshherë të mbrujtur me sipërfaqshmëri. Një mbrojtje konkrete, e kthjellët, siç dëshmoi duke folur për drejtësinë shoqërore gjatë një audience me një grup punëtorësh të krishterë. Ishte 9 dhjetori i viti 1978 dhe mendimet e tij janë tepër aktuale ende sot, ndonëse kanë kaluar 30 vjet:
“U bëj thirrje ndërgjegjes së të gjithëve, të punëdhënësve dhe të punëtorëve. Të drejtat dhe detyrat u përkasin të dyja palëve, dhe në mënyrë që shoqëria të ruajë drejtpeshimin e paqes dhe të mirëqenies së përbashkët, është i nevojshëm impenjimi i të gjithëve për të luftuar dhe për të fituar kundër egoizmit. Sigurisht një ndërmarrje e vështirë kjo, por i krishteri duhet të jetë i drejtë në gjithçka e me gjithkënd, si në shpërblimin e punës dhe në mbrojtjen e punës, ashtu edhe në shpenzimin e forcave të veta. Në fakt ai duhet të jetë gjithkund dëshmitar i Krishtit, e rrjedhimisht edhe në punë.”







All the contents on this site are copyrighted ©.