2008-10-16 16:49:35

Rurbika 365 ditë: "Eduard Branli, shpikja e radios".


(16.10.2008 RV)Që kur u emërua drejtor laboratori në Sorbonë, Eduard Branli ndjehet tejet i shqetësuar. Natyrisht, është nder i madh të japësh mësim në universitetin e famshëm parizian, por kushtet e punës janë të tmerrshme. Laboratori i tij gjindet në rrugën Shën-Zhak, një nga më të frekuentuarat e Parisit. E në çdo orë të natës a të ditës, zhurmat e kuajve e të karrocave shkatërrojnë rezultatet e instrumenteve të tij, kështu që i duhet t’i përsërisë vazhdimisht të njëjtat eksperimente. Pasi është diplomuar shkëlqyeshëm në shkenca pranë Shkollës së famshme Normale të Parisit, Eduard Branli vijon kërkimet e tij shkencore në fushën e elektricitetit. Më saktësisht, studion rrymat e dobëta elektrike, e kjo kërkon matje tepër të kujdesshme e të sakta…
Nuk është i vetmi që vijon rrugën e kërkimeve shkencore, mes vështirësish të panumërta. Nga fundi i tetëqindës, Lui Pastër, Mari Kyri, Klod Bernard punojnë në kushte të padenja për talentin e tyre. E megjithatë, vijojnë të punojnë deri në fund, deri te rezultati…
Por gjëja që e mërzit më tepër Eduardin, është këmbëngulja e profesorit, që e ka udhëhequr në punën e diplomës, për t’u martuar me të bijën...
Për të shpëtuar nga kjo situatë e pakëndshme, Eduardi jep dorëheqjen e vihet në dispozicion të Universitetit katolik të sapo themeluar. Thua të jetë kjo rruga e drejtë? Sigurisht, sepse është i krishterë – e i krishterë i bindur - e edhe pse kjo është prova se mund të jesh shkencëtar gjenial e njëkohësisht të besosh me gjithë zemër në Zotin… Po kjo nuk është e lehtë, sepse në Francën e kohës nuk mund të bësh karrierë, në se i pohon publikisht bindjet e tua fetare. Veç kësaj, Kisha nuk ka aq para, sa të ndërtojë laboratorin, që ia kishte premtuar. Të gjitha burimet materiale i përdor për të përfunduar ndërtimin e Kishës së Zemrës së Krishtit, në Monmartrë.
Po kjo s’ka pikë rëndësie, sepse falë ndihmës së familjes, Eduardi mund t’i vijojë kërkimet e tij e, besnik ndaj bindjeve personale, të japë edhe mësim në Universitetin katolik për pesëdhjetë vjet me radhë.
Është përqendruar mbi radiopërcjellset e zbulimet e tij mund të çojnë në lindjen e radios, më saktësisht, të TSF apo të radiotelegrafit. Më 1911 Eduard Branli zgjidhet në Akademinë e Shkencave, duke fituar përballë Mari Kyrisë. Me qenë se duhet të zgjidhnin ndërmjet një burri katolik - e ata i urrenin katolikët – e një gruaje, anëtarët e Akademisë detyrohen të zgjedhin burrin, ndonëse prishaqefas!Ky emërim është kurorëzimi i zbulimeve, zbatimet praktike të të cilave do t’ia ndryshonin jetën njerëzimit!







All the contents on this site are copyrighted ©.