2008-10-16 17:06:50

Papa në Ditën Botërore të Ushqimit: “Egoizmi kombëtar, spekullimet, konsumizmi, korrupsioni, shpenzimet ushtarake. Këto janë shkaqet e urisë nëpër botë.”


(16.10.2008 RV)Rrënja e problemeve të mungesës së ushqimit për të gjithë nëpër botë janë vlerat e gabuara mbi të cilat mbështeten marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo qe thirrja e Benediktit XVI në mesazhin dërguar drejtorit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) Zhak Dijuf në Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit. Tema e këtij viti është “Siguria ushqimore botërore”. “Sfidat e ndryshimit të klimës dhe të bioenergjisë.” Ati i Shenjtë i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të vejë në zbatim masa të guximshme që respektojnë gjithnjë dinjitetin e individit.


“Mjetet dhe burimet që disponon sot njerëzimi- vë në dukje Benedikti XVI – mund të ofrojnë ushqim me bollëk për të kënaqur nevojat në rritje të secilit.” “Atëherë- pyet Papa- pse nuk është e mundur që të shmanget uria për shumë persona, që shpesh arrin deri në pasoja të skajshme?”. Janë të shumta, vuri në dukje Papa, arsyet për të cilat “shpesh bashkëjetojnë bollëku dhe mungesa e ushqimit. “Njëra është gara e pandalshme e konsumit”. Është pastaj edhe “mungesa e vullnetit” për “t’u vënë fre egoizmave të shteteve dhe grupeve të Vendeve.” Papa kërkoi që t’i jepet fund edhe “spekulimeve të pakufishme që ndikojnë tek mekanizmat e çmimeve dhe të konsumit.” Përsëri, thuhet në mesazh, në krizën ushqimore luajnë rol “mungesa e një mbarështimi të saktë të burimeve ushqimore shkaktuar nga korrupsioni në jetën publike, dhe investimet në rritje për armë dhe teknologji ushtarake të sofistikuara në dëm të nevojave parësore të njerëzve.” Të gjitha këto arsye, vuri në dukje Papa, burojnë nga një perceptim i gënjeshtërt për vlerat mbi të cilat duhet të mbështeten marrëdhëniet ndërkombëtare. Në veçanti, thuhet në reflektimin e tij, një lloj qëndrimi i përhapur në kulturën bashkëkohore “që privilegjon vetëm garën për të mirat materiale, duke e harruar natyrën e vërtetë të qenies njerëzore dhe aspiratat e saj më të thella.” Përfundimi, thuhet me hidhërim në këtë mesazh është paaftësia e shumëkujt të marrë përsipër nevojat e të varfërve.”
Një fushatë efikase kundër urisë, pra bën thirrje Papa “kërkon më shumë sesa një studim shkencor për t’i bërë ballë ndryshimeve të klimës dhe për t’ia përkushtuar bujqësinë funksionit ushqimor në radhë të parë.” Nevojitet, pra, të rizbulojmë vlerën e qenies njerëzore, “në përmasat individuale dhe bashkësore” te rrënja e jetës familjare. Benedikti XVI kërkoi pastaj impenjim “për të promovuar një drejtësi shoqërore të efektshme në marrëdhëniet ndërmjet popujve”. Impenjim që i kërkon secilit të jetë i vetëdijshëm se të mirat e Krijimit janë për të gjithë dhe se “në bashkësinë ndërkombëtare jeta ekonomike duhet të drejtohet nga bashkëndarja e të mirave, drejtë një përdorimi të zgjatur të tyre në kohë dhe të një ndarjeje të drejtë të të mirave që burojnë prej saj.”
Dita Botërore e Ushqimit e këtij viti - vë përsëri në dukje Ati i Shenjtë, - gjen një çast të vështirë për situatën ushqimore botërore.” Nga njëra anë ushqimet në dispozicion duken “të pamjaftueshme në përpjesëtim me konsumin”, nga ana tjetër “kushtet klimatike vënë në rrezik jetën e miliona vetëve” të shtrënguara të braktisin tokën e tyre për të kërkuar diçka për të ngrënë.” Për këtë, lexohet në mesazh, është me rëndësi që Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) “të përgjigjet me solidaritet e me veprime të pakushtëzuara dhe të vihet me të vërtetë në shërbim të së mirës së përbashkët.” Në përfundim të mesazhit, Papa kujtoi edhe bashkësitë indigjene, duke kërkuar që t’u garantohet “mundësia për të punuar tokën” duke ndihmuar kështu lëvruesit e tokës.







All the contents on this site are copyrighted ©.